Mark Frroku: Nuk lashë mandatin për ministër, ka kohë ende për zbatimin e marrëveshjes
Megjithëse Kristiandemokratët nuk u përfaqësuan në qeverinë e re të kryeministrit të ardhshëm Edi Rama me post ministri, për kreun e kësaj force politike, Mark Frroku, mundësia mbetet e hapur për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më parë me kreun e PS-së për përfaqësimin politik në koalicionin e majtë.Në një intervistë për “Ora News”, Frroku thotë se ka patur një marrëveshje për këtë përfaqësim, ndërsa tha se këtë post nuk e mori vetë ai duke mos pranuar të dorëzojë mandatin e deputetit.Frroku flet edhe për negociatat me kreun demokristian Nard Ndoka dhe me partitë e tjerë kristiane në Shqipëri, ndërsa thotë se po synohet bashkimi i këtyre forcave në një parti të vetme politike. Ai thotë se edhe në parlament do të synohet që të mbajnë një qëndrim kompakt parlamentar pavarësisht se dy deputetët Frroku e Ndoka janë në kampe të ndryshme politike .Kreu i Partisë Kristian Demokrate ka vlerësime pozitive edhe për kreun e ri të opozitës, Lulzim Basha, ndërsa shpreh besimin se me drejtimin e PD-së nga ana e tij, do të ketë për herë të parë një opozitë europianiste.