Ambasada e SHBA për kabinetin Rama: Vlerësim për gratë, bashkëpunim me opozitën

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka reaguar ditën e sotme me një deklaratë për mediat pas prezantimit të kabinetit të ri qeveritar nga ana e kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama.Ambasada Amerikane ka vlerësuar përfshirjen e ministreve femra në kabinet, duke e cilësuar atë si një hap tepër pozitiv.“Ambasada e SHBA mirëpret ministrat e sapo-përzgjedhur të kabinetit të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe vëren me vlerësim emërimin e një numri më të madh ministresh dhe caktimin e tyre të propozuar në dikastere kyçe. Përfshirja e ministreve pasqyron një hap pozitiv drejt barazisë më të madhe gjinore brenda udhëheqjes politike të Shqipërisë. Ambasada e SHBA pret me kënaqësi të punojë me Këshillin e Ministrave të ardhshëm, shumë prej të cilëve kanë pasur përvoja profesionale dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara, në zbatimin e axhendës së tyre të reformave për të arritur synimet e Shqipërisë për integrim më të madh euro-atlantik. Gjithashtu presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë.”- thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.