Kosovë, komisionari Fyle u drejtohet të enjten deputetëve
Kuvendi i Kosovës do të mbajë në datën 18 korrik dy seanca plenare. Në seancën e rregullt do të shqyrtohen ligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa pasdite deputetëve do t’u drejtohet komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle.Me kërkesën e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, të enjten Kuvendi do të diskutojë për shmangien nga neni 28 i Rregullores për tetë ligje që janë në fuqi. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se pas diskutimit këto ligje do të miratohen brenda këtij muaji.“Janë tetë ligje të cilat janë parashikuar për raportin dhe duhen për liberalizimin e vizave. Prandaj do të bëhet shmangia mbi bazën e nenit 84 të Rregullores së Punës”, tha ai.Po ashtu, në të njëjtën ditë, në orën 15 e 30, Kuvendi do të mbajë edhe një seancë tjetër, në të cilën deputetëve do t`iu drejtohet Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fyle.Të premten, me kërkesën e deputetit Kurtan Kajtazi, dhe nënshkrimin e 63 deputetëve, Kuvendi do të debatojë lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit.Pas mbledhjes së Kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, e ka kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi për themelimin e komunave të reja. Ai tha se vendimet e kryeministrit janë të paligjshme, pasi që, sipas tij, nuk mund të formohen komuna në momentin kur shpallen zgjedhjet nga presidentja.Ismet Beqiri është shprehur i bindur në fitoren e LDK-së, në zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme, duke shtuar se vetëm atëherë do të themelohen komunat në pajtim me ligjin.