Berisha pret tre ambasadorë, takime me diplomatët e Azerbajxhanit, Estonisë dhe Maqedonisë
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, ka zhvilluar ditën e sotme tre takime me ambasadorin e Azerbajxhanit Rahman Mustafayev, me Ambasadorin e Estonisë për Shqipërinë Andres Talvik, si dhe ambasadorin e Maqedonisë në Tiranë, Vele Trpevski, me rastin e përfundimit të mandatit të tyre në Shqipëri.
Në takimin që zhvilloi me ambasadorin e Azerbajxhanit, Rahman Mustafayev, ky i fundit shprehu mirënjohjen për kontributin e çmuar që Kryeministri Berisha ka dhënë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, kulturore e politike mes Azerbajxhanit e Shqipërisë. Veçanërisht ai edhe njëherë çmoi përpjekjet e panumërta të Kryeministrit Berisha në mbështetje të projektit të TAP-it si pjesë e Korridorit të Jugut, me rëndësi strategjike për sigurimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë për rajonin e Europën. Në kuadrin e shprehjes së falenderimeve për kontributin e Kryeministrit Berisha në këtë proces, ambasadori njohu Kryeministrin edhe me përgatitjet e fundit rreth vizitës së ditës së nesërme të delegacionit të nivelit të lartë nga kompania SOCAR, kryesuar nga Presidenti i saj, zoti Abudallayev.Kryeministri shprehu mirëseardhjen e delegacionit nga kompania SOCAR. Ai çmoi marrëdhëniet shumëanëshe mes dy vendeve tona, sikurse vlerësoi potencialin e madh për intensifikimin e tyre, veçanërisht pas përzgjedhjes së projektit të TAP-it. Kryeministri edhe njëherë shprehu bindjen se projekti i përzgjedhur është projekti më i mirë jo vetëm nga pikëpamja e fizibilitetit ekonomik, por edhe nga këndvështrimi gjeopolitik për gjithë Europën.Po sot , kryeministri Berisha ka pritur në një takim edhe Ambasadorin e Estonisë për Shqipërinë, Andres Talvik, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve dhe qeverive, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen, bashkëpunimin dhe ndihmën që Estonia i ka dhënë Shqipërisë, në veçanti në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe e-government.Ambasadori Talvik i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i ka dhënë misionit të tij gjatë kësaj periudhe. Ambasadori Talvik vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka shënuar gjate kësaj periudhe në të gjitha fushat, në veçanti në reformat e lidhura me anëtarësimin në BE dhe uroi që bazuar mbi këtë progres, vendi ynë të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat.Në takim u vlerësua gazsjellësi TAP si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë, zhvillimin e ekonomisë së saj dhe rajonin, i cili përbën edhe një arritje të rëndësishme gjatë kësaj periudhe.Ndërsa takimin e tretë kryeministri Berisha e ka zhvilluar me ambasadorin e Maqedonisë në Tiranë, Vele Trpevski, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve.
Ambasadori Trpevski e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të tij personalisht dhe qeverisë shqiptare për realizimin me sukses të misionit të tij në Tiranë.Në takim u vlerësua progresi i lartë që bashkëpunimi midis të dy vendeve ka shënuar gjatë kësaj periudhe, si edhe kontributi i jashtëzakonshëm që projektet infrastrukturore si rruga e Arbrit, tuneli i Elbasani e të tjerë do të sjellin në zgjerimin e thellimin e tij, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve dhe të qytetarëve të tyre.Në takim u vlerësua gjithashtu arritja tjetër e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, ajo e gazsjellësit TransAdriatik (TAP), i cili do të përbëjë një projekt të një rëndësie strategjike për Shqipërinë, për zhvillimin e ekonomisë së saj, por edhe mbarë rajonin.