Braktisje jo vetëm në kuti, por edhe në shesh, a jemi lodhur nga politika? Flet Psikologia Arjana Muçaj
E ftuar në studion e “Ora News”, psikologia Arjana Muçaj analizoi ndikimin e gjuhës politike në shoqërinë shqiptare, duke theksuar se polarizimi i vazhdueshëm ka lodhur veçanërisht brezin e ri.
" Unë do të thoja që ka ardhur në ngopje. Ne kemi kaq kohë që dëgjojmë retorika të ndryshme nga njëra palë në një palë tjetër dhe ajo që politika i ka bërë shoqërisë është që i ka ndarë në dy pole.
Pra, ne nuk kemi një pol të ndërmjetëm ku njerëzit të bëjnë debate konstruktive që ndajnë mendime dhe ide, si të thuash kuptojnë nga gjuha e njëri-tjetrit, por janë dy pole të kundërta, në të mirë dhe në të keq.
Ky polarizim i shoqërisë ka ndarë pikërisht edhe të gjithë individët që i përkasin kësaj shoqërie.
Edhe në jetën e përditshme, në qoftë se hapet një debat politik, do të shikojmë që jemi midis asaj që i themi e mirë dhe e keqe.
Askush nuk e percepton që kjo gjuhë e kjo formë e të menduarit tashmë e ka lodhur atë që quhet brezi i ri", u shpreh Muçaj.
