Qytetarja në protestën përballë Kryeministrisë: Shqipëria nuk ka nevojë për ligje që sfidojnë Zotin dhe logjikën
Në një protestë të zhvilluar sot nga opozita, një qytetare iu drejtua bashkëqytetarëve duke shprehur shqetësimin mbi disa çështje që lidhen me familjen, ligjet dhe qeverisjen.
Ajo theksoi se qeveria ka miratuar ligje pa debat dhe konsultim, duke krijuar një mëndësi ku parlamenti shihet si i tepërt dhe demokracia si luks.
Qytetarja:
Bashqytetarë, prindër dhe gjyshër. Sot jemi mbledhur këtu edhe për një arsye që lidhet me dijeninë më bazike dhe më të vjetër që njeh njerëzimi. Në dijeninë time, në dijeninë tuaj, bota është krijuar me dy gjini. Në Bibël ka dy, në Kuran ka dy, në natyrë ka dy dhe në logjikë ka dy. Por me sa duket qeveria jonë paska zbuluar diçka që as Zoti nuk e paskëshka ditur deri më tani, një shkencë të re, një realitet të ri, të shpallur pa debat, pa konsultim, pa asnjë shpjegim ndaj familjeve shqiptare.
Ironia është se ndërkohë që ne kemi halle reale, çmimet, korrupsionin, punësimin, shëndetësinë, rrugët që rrëzohen sapo hapen, qeveria ka zgjedhur të merret me krijime të reja që nuk i ka shkruar as historia, as shkenca, as feja. Prandaj jemi këtu sot. T'i themi qeverisë se shqiptarët nuk kanë nevojë për ligje që sfidojnë Zotin, natyrën dhe logjikën. Gjithashtu, ka nisur të krijohet një mëndësi shumë e rrezikshme në këtë vend, që parlamenti nuk duhet, se parlamenti është pengesë, se demokracia është e tepërt, se debati është luks.
Kur qeveria miraton buxhetin pa debat, kur ligje që prekin fëmijët dhe familjen kalohen pa asnjë konsultim, kur opozita lejohet të flasë një herë në nëntë seanca, dërgohet një mesazh i qartë se s'më duhet parlamenti. Por pyetja retorike që duhet të bëjmë të gjithë është kjo: Nëse nuk duhet parlamenti, atëherë çfarë duhet në Shqipëri? Një shtet me një zyrë të vetme që vendos gjithçka?
Një regjim ku askush nuk kontrollohet dhe askush nuk jep llogari? Ky është rreziku që kemi përpara dhe provat janë para syve tanë. Ne protestojmë këtu sepse korrupsioni nuk është më përjashtim në këtë qeveri, është mënyrë se si qeveriset vendi. Tuneli i Llogarasë, nën përgjegjësinë direkte të zëvendëskryeministres Balluku, është kthyer në aferën më të madhe pas inceneratorëve. Kosto të fryra, mungesë gare, mungesë transparence dhe mungesë totale e përgjegjësisë. Çdo ditë del një fakt i ri, çdo ditë një dyshim i ri, por dorëheqja nuk ekziston.
Në çdo vend të BE-së, një zëvendëskryeministre do të kishte ikur që në orën e parë. Këtu vazhdon akoma të qeverisë. Dhe ndërkohë që ne protestojmë për korrupsion, dëgjojmë deklarata nga jashtë si ajo e zonjës Marta Kos, e cila sot tha se Shqipëria po ecën shumë mirë në rrugëtimin e integrimit. E si mund të ecë mirë një vend ku gjysma e qeverisë është nën hetim, është në burg apo në dosje të hapura dhe pjesa tjetër po përgatitet për të njëjtin fat nëse vazhdon të mbrojë abuzimet? A mund ta themi këtë? Sot një tjetër aferë përveç tunelit të Llogarasë është dhe ajo e Rrugës së Arbrit.
Sot është një nga provat më flagrante të korrupsionit me para publike. Mashtrimet, zvarritjen dhe cilësinë e dobët të punimeve. Kanë kaluar 15 vite punime dhe ndërkohë që kostoja është dyfishuar, cilësia ka shkuar në drejtim të paditur. Hajdeni sot dhe shikoni tunelin e Rrugës së Arbrit, po humbet nga poshtë, po çahet dhe po degradohet. Besoj se nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që po ndodh me tunelin e Llogarasë.
Protestën LIVE mund ta ndiqni në faqen e Ora News:

