Halimi takon Cannon, vlerësohet bashkëpunimi në reformimin e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi priti sot ne një takim pune ambasadorin britanik Nicholas Cannon me të cilin bisedoi rreth ecurisë pozitive të disa prej projekteve të përbashkëta të ministrisë dhe ambasadës britanike në Tiranë në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë .Ministri Halimi në fjalën e tij e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e dhënë për realizmin e disa prej reformave të rëndësishme për sistemin si shërbimi i provës, mbikëqyrja elektronike, hartimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe Civile si dhe realizimin e marrëveshjes për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Britania e Madhe.Në këtë tranzicion pushtetesh , Ministri Halimi shprehu bindjen se modelet britanike të zgjedhura si në ngritjen dhe funksionimin e shërbimin e provës, monitorimin elektronik duhet të jenë në qendër të vëmendjes edhe në të ardhmen.Ministri cilësoi si të rëndësishme ecurinë e reformës në privatizimin e shërbimeve të caktuara në sistemin e burgjeve si dhe ne ngritjen e kapacitete monitoruese në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve. Në këtë drejtim Ministri i kërkoi ambasadorit britanik që të vazhdojë mbështetjen për Ministrinë e Drejtësisë në vijim.Nga ana e tij Ambasadori Cannon shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Ministrin Halimi duke vlerësuar se reformat e ndërmarra nga ai dhe të mbështetura nga Britani e Madhe janë një shembull pozitiv e prioritare për sistemin e drejtësisë . Ambasadoi Cannon shprehu bindjen se do të vazhdojnë përpjekjet me qeverinë e re për përfundimin e reformës së nisur në drejtim të privatizimit të burgjeve , etj.Ambasadori në këtë takim shoqërohej nga drejtuesi i fondacioni Slynn, i cili drejton disa projekte të mbështetura nga Britania e Madhe në reformimin e sistemit të drejtësisë.