Rama takon Blair në Londër, Blair: Fitorja moment i rëndësishëm për vendin
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama është takuar sot paradite me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Blair, me të cilin ka diskutuar për rreth 2 orë lidhur me piketat e para të qeverisjes. Pas takimit Edi Rama është shprehur se është kënaqësi që takimin e parë pas zgjedhjeve e ka zhvilluar me një mik të madh të shqiptarëve. Kreu i PS është shprehur entuziast lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me ish-kryeministrin britanik."Është një kënaqësi shumë e madhe që takimin e parë pas zgjedhjeve, jashtë Shqipërisë, unë e bëj me një mik të madh, që përveçse çka njihet është edhe një pikë referimi e kahershme e imja dhe e jona si Parti Socialiste. Ndërkohë jam shumë i lumtur që kjo fitore na jep mundësinë të kemi ndihmën e një miku të madh, një kryeministri që ka lënë gjurmë në historinë e Anglisë dhe të botës mbarë dhe e një njeriu që nuk harron asnjëherë të përsërisë se është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve", është shprehur Rama.Po kështu, edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair pas takimit me kryeministrin e zgjedhur Edi Rama, e ka cilësuar bashkëpunimin për qeverinë e re dhe programin e ri, si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Në fjalën e tij, Blair ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar i uron qeverisë së re sukses në sfidat që parashtrohen, ndërsa shtoi se nuk do mungojë mbështetja për realizimin e detyrës së qverisë së re."Së pari, dua të uroj Edi Ramën për fitoren e tij të jashtëzakonshme. Ky është një moment i duhur që Shqipëria të bashkohet me qeverinë e re dhe me programin e saj të ri. Jam i sigurt se ekziston një vullnet i madh në komunitetin ndërkombëtar për t'i uruar qeverisë punë të mbarë dhe të jetë e suksesshme. Sfidat e vendit janë shumë të mëdha, por unë e di se ka një vendosmëri të jashtëzakonshme për t'i kapërcyer ato. Si dikush që e konsideron veten një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve ne jemi të lumtur t'ju ndihmojmë me mundësitë tona më të mira. Dua t'ju uroj juve z. Rama gjithë të mirat, duke ditur sesa punë e vështirë është të jesh Kryeministër. Fat të mbarë dhe duhet të dini se gëzoni një mbështetje të gjerë në komunitetin ndërkombëtar që të realizoni me sukses këtë detyrë" u shpreh Blair, pas takimit Edi Ramën.Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama ka treguar edhe për axhendën e tij në vazhdim. Ai do të jetë i ftuar në programin e gazetares Sara Montague, BBC HardTalk, ndërsa nesër do të jetë në Itali ku është parashikuar një takim i Ramës me kryeministrin italian, Enrico Letta.Kreu i PS pati një takim me Blair edhe gjatë fushatës zgjedhore, ku mori mbështetjen e tij për këshillimin në hartimin e politikave qeverisëse. Ish këshilltari i Blair, Alastair Campbell, ndihmoi Ramën dhe stafin e Partisë Socialiste gjatë fushatës në Shqipëri.“Takim pasionues rreth 2 orë me kryeministrin Blair për piketat e para të qeverisjes. Pastaj BBC Hardtalk me Sara Montague. Nesër në Rome me kryeministrin Letta”, shkruan Rama në “Facebook”.