Tiranë, policia bashkiake aksion për lirimin e hapësirave publike
Hapësirat publike që janë zënë padrejtësisht në kryeqytet do të lirohen deri në datën 31 korrik.Kështu ka premtuar përgjegjësi i sektorit të ligjshmërisë fiskale në Bashkinë e Tiranës Bashkim Koçi, gjatë një aksioni të zhvilluar në rrugën “Nikolla Tupe” në zonën e ish-bllokut.Sipas Koçit aktualisht është ndërhyrë edhe në largimin e shitësve ambulantë duke i konfiskuar mallin. Ndër të tjera nga policia bashkiake është njoftuar se aksioni do të vijoj edhe në ditët në vazhdim.“Policia Bashkiake është e pozicionuar qartësisht në mbështetje të shumicës, të atyre qytetarëve që e duan ligjin dhe e zbatojnë atë dhe jo të disa individëve që e shkelin këtë ligj dhe duan të bëhen pronarë të paligjshëm të asaj që quhet hapësirë publike e qytetarëve. Ne jemi të vendosur që hapësirat publike, në çdo metër katror të Tiranës, t’i kthehen qytetarit, në funksion të përmirësimit cilësor të lëvizjes së tyre, të përmirësimit cilësor të parkimit të makinave, të lëvizjes së makinave dhe gjithçka tjetër. Po të shikoni, vetëm gjatë 10 ditëve të fundit janë marrë masa për lirimin e të gjitha hapësirës, sepse është kohë sezonale, ku kundravajtësit zënë trotuaret me prodhimet stinore, janë sekuestruar mbi 12.5 tonë mall kundravajtje, praktikë e cila do të vijojë edhe në ditët e ardhshme” theksoi Koçi.Aksioni i bashkisë konsistoi në lirimin e zonës publike të bllokuar nga bizneset, me objekte si, çadra, vazo lulesh,blloqet e betonit qe perdoreshin per te zene vendin e parkimit apo sende të tjera të kësaj natyre, të cilat, sipas Policisë Bashkiake, bllokonin hapësirën publike në mënyrë të paligjshme.