MPJ përshëndet vendimin e NATO-s për Forcën e Sigurisë së Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet vendimin e sotëm të Këshillit të Ambasadorëve të NATO-s për deklarimin e arritjes së Kapacitetit të Plotë Operacional (KPO) për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).Në një deklaratë për mediat, MPJ thekson se ky deklarim, dëshmi e rritjes së profesionalizmit dhe kontributit të FSK-së në forcimin e sigurisë të gjithë popullit të Kosovës, pa dallime etnike, shënon një arritje shumë të rëndësishme në konsolidimin e mëtejshëm të perspektivës së integrimit Euroatlantik të Kosovës.Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson kontributin e të gjithë vendeve anëtare të Aleancës në marrjen e këtij vendimi dhe shpreh, njëkohësisht, besimin se ai do të ndikojë pozitivisht në forcimin e rolit të Kosovës si faktor stabiliteti rajonal.Këshilli i Atlantikut të Veriut ka deklaruar sot se Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur aftësinë e plotë operacionale dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të caktuara brenda mandatit të saj dhe standardeve të përcaktuara nga NATO. Kjo është bërë e ditur nga një deklarate e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.“I përgëzoj të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në arritjen e këtij hapi. Unë falënderoj ushtarakët e KFOR-it për të gjithë atë që kanë bërë për të ndihmuar ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet i njëjtë si ka qenë gjithmonë për të kryer operacione të mbrojtjes civile dhe për të ndihmuar autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera”, thuhet në deklarën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.Sipas saj, Aleanca do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe këshilla për FSK-në.“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në dialog dhe pajtim. Prandaj unë inkurajoj pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë të marrin në konsideratë bashkimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të siguruar se ajo vazhdon të bëhet një forcë e vërtetë multi-etnike dhe përfaqësuese”, përfundon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.