Prezantohen në detyrat funksionale gjeneralët e rinj të Forcave të Armatosura
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, me ceremoni të veçanta ka prezantuar sot paradite komandantët e rinj të Forcës Ajrore, Brigadës së Mbështetjes Rajonale dhe drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.Ceremonia e parë është zhvilluar në Komandën e Forcës Ajrore ku gjeneralmajor Gjunkshi prezantoi komandantin e ri të kësaj strukture të rëndësishme të FA të Shqipërisë, gjeneral brigade Frederik Beltoja, i cili pak ditë më parë me dekret të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani i është dhënë grada gjeneral brigade.Duke marrë fjalën në këtë ceremoni, gjeneralmajor Gjunkshi u shpreh:“Gjeneral brigade Beltoja vjen në këtë detyrë të re pasi ka kryer me dinjitet detyrën zëvendëskomandant i Forcës Ajrore dhe me një eksperiencë të pasur pune në detyra të tjera të rëndësishme në FA. Unë besoj që gjeneral brigade Frederik Beltoja me cilësitë që e karakterizojnë dhe me mbështetjen tuaj do të çojë edhe më lart sukseset e Komandës së Forcave Ajrore”.Një atmosferë festive ka vijuar edhe në ambientet e Brigadës së Mbështetjes Rajonale, ku gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka prezantuar komandantin e ri të kësaj njësie ushtarake, gjeneral brigade Muhamet Buçpapa.“Besoj se gjeneral brigade Muhamet Buçpapa, me cilësitë dhe aftësitë që e karakterizojnë do të çojë edhe më lart historinë e suksesit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale. Unë i uroj gjeneral Buçpapës suksese dhe e siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, - ka theksuar në fjalën e tij, gjeneralmajor Gjunkshi.Ceremonia e zhvilluar në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes ka shënuar mbylljen e prezantimeve të drejtuesve më të rinj të strukturave të FARSH. Këtu gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka prezantuar drejtorin e Përgjithshëm, gjeneral brigade Ylber Dogjani.Gjatë prezantimit të tij, gjeneralmajor Gjunkshi ka vlerësuar punën dhe përvojën e gjatë të gjeneral brigade Dogjani dhe ka shprehur besimin e tij se ai do të çojë më lart sukseset e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në përputhje me kërkesat e standardet e NATO.Të tre gjeneralët e rinj kanë siguruar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi për një angazhim maksimal në kryerjen e detyrave të rëndësishme që ata kanë marrë dhe se strukturat dhe efektivat që ata do të drejtojnë do të përmbushin me nder të gjitha detyrat që do t’i ngarkohen nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA.