Basha në njësinë 8, 9,10: Anëtarët e PD, zë i fortë në vendimarrjen e partisë

Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij, për drejtimin e Partisë Demokratike para anëtarëve të kësaj partie, në njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10, në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar në këtë takim, vizionin e tij të drejtimit të PD, anëtari i kësaj partie do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Zëri i anëtarit, - theksoi zoti Basha, do të dëgjohet në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese e kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj.“Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD” – u shpreh Basha.Zoti Basha ka theksuar se demokratët, nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve mazhorancën morale, pasi mazhoranca e re dëshmoi se është kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh.“Përballemi sot me një mazhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22 vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati t’i përgjigjet, si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar se në themel të fillimit të ri qëndron evidentimi i plotë i kontributeve të anëtarëve të PD dhe vlerësimin e përhershëm të këtij kontributi.“Analiza duhet dhe do të fillojë me evidentimin e plotë të kontributit të anëtarësisë së PD ndër vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një fillim të ri, pa bërë të mundur që gjithçka që anëtarët e PD japin dhe kanë dhënë ndër vite, të evidentohet dhe të kthehet në një kapital të çmuar politik për forcën tonë politike dhe jo të harrohet në krye të çdo fitoreje”.