Rama me kryebashkiakët e bregdetit: Të ndalim dallgën e ndërtimeve pa leje

Të ndalet një orë e më parë dallga e ilegalitetit në vijën bredetare të vendit nga veriu në jug. Kjo ka qenë thirrja që kreu i PS, Edi Rama, ka lëshuar për kryebashkiakët dhe deputetët socialistë të zonave bregdetare, gjatë një mbledhje të organizuar pasditen e sotme në ambjentet e Hotel Tirana.Çështja e administrimit të territorit dhe ajo e ndërtimeve pa leje, ishin dhe dy pikat e nxehta të parashtruara nga Kryesocialisti, për të cilat kërkoi opinione nga bashkëbiseduesit për të shkuar drejt ndërmarrjes së masave konkrete sapo qeveria e ardhshme të nisë nga puna në shtator.“Jemi për të diskutuar domosdoshmërinë e një ndërhyrje të një emergjence për disa cështje që kanë ndjeshmëri të madhe publike dhe pengojnë zhvillimin normal të vendit. Po e nis nga e para për të kërkuar opinionet tuaja, cështjen e administrimit të territorit, ka ankesa për ozuprime dhe privatizime të padrejta të territoreve. Ka plot raste kur njerëzit ankohen për gardhe dhe mure që pengojnë territorin e plazhit. E dyta, është gjendja skandaloze e ndërtimeve pa leje në gjithë vijën bregdetare nga veriu në jug, e që në këtë periudhë kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm për pasojë të këtij vakumi në periudhën e ndërrimit të qeverisë. Ndërtime pa leje që kanë pësuar rritje edhe për shkak të moskordinmit të punës mes qeverive vendore dhe asaj qëndrore. Duhet të ndalim një orë e më parë këtë dallgë ilegaliteti. Këto dy cështje janë pikat më të nxehta për diskutim, mund të ketë dhe cështja të tjera që do dalin gjatë diskutimit” tha Rama.

Kryesocialisti kërkoi nga Kryebashkiakët të ndjekin shembullin e aksionit në Vlorë, për të filluar që tani prishjen e ndërtimeve pa leje në gjithë vijnë bregdetare të vendit.

“Kemi dy faza, njëra fazë ajo e emergjencës. Ju e shihni se qeveria në detyrë nuk ka asnjë lidhje me problemet e përditëshme të njerëzve dhe vendit dhe shumë janë turrur për të kapur pronat e orës së fundit duke hedhur tonalata beton të orës së fundit. Ne duhet ta ndalim tani këtë masakër dhe të rrëzojmë përtokë të gjitha ngrehinat që janë në ndërtim e sipër pa leje, nga Velipoja deri në Sarandë. Faza tjetër është nisja e punës sistematike për të pastruar gjithë vijën bregdetare. Cdo ndërtesë pa leje dhe që dëmton perspektivën e zonës bregdetare duhet të rrafshohet. Duhet një ligj apo ndërhyrje në ligj, qoftë për mënyrën si do menaxhohen plazhet, qoftë si do garantohet që gjithë cikli i ndëshkimit të ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur, jo një cikël i hapur sic është sot, ku autorët nuk ndëshkohen”, tha Rama.

 Ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës, kryetari i PS-së përmendi krijimin e një agjencie kombëtare për bregdetin, ndërsa paralajmëroi shkrirjen e Policisë Ndërtimore.

“S’do të kemi më Polici Ndërtimore, por polici shteti dhe kjo do marrë në mbrojtje mbrojtjen e territorit në cdo centimetër të Shqipërisë. Të hartohen propozime për ndërhyrje në ligj për mbrojten e territorit në vijën bregdetare. Në programin tonë kemi vëmendje të posacme për bregdetin dhe kemi në plan ngritjen e një agjencie kombëtare për mbrojtjen e bregdetit. Ky është detyrim ligjor, jo dëshirë e jona për të punuar pa nisur formalisht punë, ndaj këto dy muaj duhet të angazhohemi për shembjen e ndërtimeve pa leje. S’do ketë tolerancë dhe leje për ndërtimet që dëmtojnë strategjinë e zhvillmit të vendit. kush ka ndërtuar një shtëpi banimi meriton mbështetjen tonë, ndërsa ai që ka ndërtuar për të përfituar, nuk do të tolerohet”përfundoi Rama.

Ndërkaq deputetja socialiste e qarkut të Lezhës, Mimi Kodheli përpos problematikës së ndërtimeve pa leje tha se duhet një rregullim edhe për aktivitetin e peshkimit nëpër zonat bregdetare.

Ndërsa Valentina Leskaj, deputete e qarkut të Vlorës,  u ndal tek problematika e furnizimit me ujë të pijshëm të zonave bregdetare dhe nevojën e ndërmarrjes së një aksioni së bashki me organizatat joqeveritare për pastrimin e plazheve.

Edhe Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ngriti shqetësimet e tij lidhur me situatën në qytetin që drejton, duke u ndalur tek ndërtimet pa leje,  fenomen që sipas tij, duhet mbyllur në qelizë. Gjika tha më tej se unifikimi i sistemit policor mbetet parësor, për të ndalur ndërtimet në territor dhe rehabilituar vijën bregdetare.

“Është abuzuar me hapësirat e plazheve dhe duhet punuar për infrastrukura e shërbime më të mira. Ndërtimet e paligjshme gjithashtu janë një fenonem shqiptar, por ky fenonem mund të mbyllet në qelizë. Jo më larg se sot, në një koordinim me strukturat e policisë sot, ne filluam një aksion mbi 130 objekte të paligjshme në bregdet që do të mbyllë atë ide të mbrapshtë që ato nuk duhet të ndodhin.Po ashtu, mua më ka ndodhur që inspektori i policisë së ndërtimit është goditur në detyrën e tij dhe në vend të kishte mbështetjen e policisë, është thirrur një javë rresht nga prokuroria. Unifikimi i sistemit policor mbetet parësor. Duhet unifikim dhe koordinim më të gjitha hallkat e shtetit për të ndalur ndërtimet në territor dhe rehabilitimin e vijës bregdetare” tha Gjika.

Kryebashkiaku i Vlorës ngriti shqetësimin edhe lidhur me diskot në këtë zonë, të cilat i konsideroi objekt shqetësues, madje alarmues për pushuesit.

“Problem janë edhe diskot në këtë zonë, që janë objekt shqetësues e madje alarmues për pushuesit. Mbi ato ne nuk kemi pushtet. Unë do thoja se siç ju e keni programuar, ligji i ri i urbanistikës ka nevojë për një rishikim dhe në të duhet demotivuar patjetër ndërtimi i tij. Së fundi, të kemi edhe një regjistër të unifikuar kombëtar, standart. Tani e tutje unë jam shumë herë më i motivuar për të mbrojtur atë që qytetarët na kanë besuar”përfundoi  kryebashkiaku Gjika.

“Kërkesat për plazhe private janë shumë të mëdha pavarësisht tarifave të larta që janë vënë. Ndarja e plazheve publike dhe private është një problem shumë i madh, po luhet me to si "macja me miun". Gjithashtu, edhe ndërtimet pa leje, që nuk mund të parandalohen pa një bashkëpunësim. Sapo i çojmë një letër ndërtuesve, ata vijnë me letra të tjera shfrytëzimi" u shpreh kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

“Nuk duhet toleruar asnjë ndërtim pa leje dhe të thuhet qartë me emër, të denoncohen ata gjykatës apo prokurorë që i mbrojnë ata dhe të bëhen publikë.  Ne i kemi kushtet që tani të mbajmë këtë përgjegjësi, sepse policia po bëhet bashkëpunuese”deklaroi deputeti Vlorës, Koço Kokëdhima,

Ndërsa deputeti i Shkodrës, Paulin Stërkaj kërkoi që në pamundësi për të frenuar ndërtimet pa leje në këtë moment,  të shmanget antireklama  për plazhet tona në kushtet kur gjendemi në pikun e sezonit turistik.

“Unë jam konsultuar edhe me kryetarin e komunës së Velipojës për këto probleme dhe mendoj se nuk duhet t’u bëjmë antireklamë në këtë moment, plazheve tona.  Në këtë moment ne s’kemi fuqi të frenojmë ndërtimet pa leje, sepse s’e kemi atë mundësi, por të paku të merremi me çështje më të thjeshta, si me pastrimin e tyre t’u krijojmë pushuesve të kalojnë verën.”