Olldashi prezanton platformën në Korçë: Ja si mund ta çojmë PD drejt fitores

Në vijim të turit të tij elektoral për marrjen e kreut të Partisë Demokratike, Ministri Sokol Olldashi, ndaloi mbrëmjen e sotme në verilindje të vendit, ku zhvilloi një bashkëbisedim me bazën e PD në Korçë. Ndërsa shpalosi platformën e tij si pretendet për të vijuar rrugën e ndërprerë të paraardhësit të tij Berisha, Olldashi përcaktoi tre shtylla kryesore mbi të cilat duhet të fokusohet kjo parti, për të qenë fituese e sigurtë në sfidën më të parë të saj.“Kemi nevojë ditën e parë që të hapet parlamenti të kemi të konsoliduar kampin opozitar, të fokusuar në një lement të vetëm, qeverinë e Edi Ramës. Ai mbetet i njëjti prototip që ndërtoi për vite me radhë një pushtet klientelist, të korruptuar, që thërret si skalione për deputetë elementë të botës së krimit. Nisur nga ky objektiv ne duhet të përqëndrojmë qëndrimin tonë politik. Ne duhet të sqarojmë politikën e 23 qershorit, përballë nesh është Edi Rama me bandën e Ilir Metës, përballë tyre ne. S’ka më pol të tretë, ka dy, ne dhe kundërshtarët tanë politikë. Ekzistenca e gjoja një poli të tretë politik vetëm na dëmtoi. Edi Rama dhe Ilir Meta janë e njëjta forcë, ata janë kthyer te partia mëmë e tyre.Ne kemi nevojë të konsolidojmë këtë veprim opozitar, është dicka që e kemi bërë dhe dimë ta bëjmë , sic e bëmë në ’91, ashtu dhe në 2005. Jam i bindur se kjo forcë është mendërisht dhe shpirtërisht gati për të bërë opozitën më të mirë dhe më të fortë që vendi ka parë ndonjëherë. Po ashtu, kemi nevojë që një standard që e vedosi Sali Berisha, themeluesi dhe drejtuesi 23 vjecar i kësaj partie, ta shtrijmë në të gjithë themelin e partisë. S’mund të kemi më kryetar të palëvizshëm në të gjitha nivelet drejtuese. Duhet të respektojmë këtë standard, standardin e përgjegjësisë përballë rezultatit. E gjithë kjo duhet të shoqërohet me një nxitje të debatit dhe konkurencës brenda PD. Nesë ne arrijmë të krijojmë një standard të tillë, stimulimin e karrierës, kjo do ti bënte vetëm mirë PD. Një element tjetër i rëndësishëm është vendosja e komunikimit me anëtarët e thjështë të partisë, po ashtu dhe militantët dhe mbështetësit për të vlerësuar të gjitha kontributet e tyre për këtë parti. Nëse i realizojmë këto, atëherë ne i kemi të gjitha shanset që në përballjen e parë të jemi forcë fituese” tha ai.Ashtu si Basha edhe Olldashi, ka bërë të ditur se një nga iniciativat e para të PD nën drejtimin e tij, do të jetë hapja e zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar dhe mbrojtur çdo punonjës të administratës i cili do të përballet me largimin abuziv të paralajmëruar nga puna, nga mazhoranca e re.Duke mbetur tek gara me kryebashkiakun Basha, Olldashi ka ftuar anëtarët ta shohin si garë vlerash dhe jo rivaliteti. Ndërsa ndau konsiderat më të larta për zotin Basha, Olldashi premtoi se ai do jetë pjesë e strukturave të larta të PD nëse anëtarësia i beson platformës dhe afëtsisë së Olldashit për t’ia besuar drejtimin e partisë.“Kjo garë është një garë vlerash dhe jo rivaliteti përtej kufirit. Zoti Basha është mik imi, koleg imi, absolutisht një vlerë e PD. Kur e them këtë dua të them se është një garë vlerash dhe duhet trajtuar si e tillë. Nëse anëtarësia më zgjedh mua, unë do ta bëj zotin. Basha pjesë të rëndësishme të strukturave të PD. Nuk dua votë për hir të miqësisë, PD nuk është parti miqsh por parti e anëtarëve të saj në radhë të parë. Duke pasur parasysh objektivat tona, në partinë tonë nuk mund të funksionojë asnjë standard tjetër përpos atij të meritokracisë” tha më tej Olldashi.E ndërsa dukshëm ka nisur një sulm të ashpër ndaj LSI, Olldashi ka paralajmëruar se PD nën drejtimin e tij nuk mund të ketë më bashkëpunim me këtë forcë politike.“PD fiton vetë nuk ka nevojë për paterica, kemi fituar vetëm dhe do fitojmë vetëm, padyshim me partneritetin e forcave të djathta, por pa paterica” përfundoi kandidati për kreun e PD, Olldashi.