Ambasadorët e BE, takim me Beqjan e Haxhinaston
Ambasadorët e BE-së në Tiranw kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e grupit të punës për programin e ri qeverisës, Ilir Beqja nga PS dhe Edmond Haxhinasto nga LSI.Në përfundim të takimit, Beqja theksoi se ambasadorët ishin të interesuar për punën e përbashkët që po bëhet, veçanërisht për 300 ditët e para të qeverisjes.“Ata dhanë këshillat e tyre për të ardhmen e vendit, jo vetëm në integrimin por edhe zhvillimin e vendit, ishin të interesuar për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, drejtësi të pavarur, pra vlerat themelore të BE. Ishin të interesuar edhe për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve respektike me Shqipërinë, për një sistem të qendrueshëm ligjor e fiskal” tha Beqja.Ndërsa Edmond Haxhinasto deklaroi se brenda 10 ditëve do te jete gati nje draft afër versionit zyrtar të programit për qeverisjen. Ai gjithashtu vlerësoi komentet e ambasadorëve për planin që u paraqit.“Dua të vlerësojë komentet që u dhanë nga ana e ambasadorëve për planin që paraqitëm para tyre dhe gjithashtu u vlerësua fakti që ne në programin tonë kemi një referencë të vazhdueshme sa i takon detyrimeve për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, për 12 prioritetet apo siç jemi mësuar ta quajmë paketën e detyrimeve apo veprimeve që duhet të ndërmarrim sa i takon këtij procesi”, u shpreh z. Haxhinasto.Sipas tij, nga ana e ambasadorëve është vlerësua edhe përqasja e mazhorancës së re sa i takon angazhimit të opozitës në të gjithë proceset e ardhshme që do të kërkojë proces i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.“Gjithashtu u vlerësua shumë edhe përqasja që ne kemi sa i takon angazhimit të opozitës, proceset politike që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit dhe integrimin e vendit dhe sigurisht gatishmëria jonë për të angazhuar sa më shumë opozitën në të gjithë proceset e ardhshme që do të kërkojë ky proces integrimi”, vijoi më tej kryetari i grupit të punës për programin e ri qeverisës.