Reeker “shpërthen” ndaj vetëvendosjes: Liderët, palaço politikë

Zëvendës - ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker, ka kritikuar ashpër lëvizjen Vetëvendoje gjatë vizitës së tij në Kosovë. Diplomati amerikan dënoi dhunën, që sipas tij e ushtroi Lëvizja Vetëvendosje ndaj institucioneve të Kosovës dhe ndaj diplomatëve ndërkombëtarë, ndërsa i quajti “palaço” udhëheqësit e kësaj lëvizje. Reeker tha se mund të takohet me ta, vetëm kur të sillen si njerëz normalë.Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, Reeker përgëzoi institucionet e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë.  Ndërsa ai tha se edhe Ligji për Amnistinë duhet të miratohet, sipas tij ai është keqinterpretuar."Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të japin të njëjtën mbështetje që kanë dhënë deri më tani për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", tha zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit.Reeker është takuar me Presidenten  e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në takim, është biseduar për proçeset integruese të Kosovës, për marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për praninë e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.Gjithashtu diplomati amerikan ka zhvilluar  takime me Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.Reeker qëndron në Kosovë që prej datës 4 Korrik dhe pritet që këtë vizitë ta përmbyllë më 6 Korrik, ndërsa më parë ai ka vizituar dhe vende të tjera të rajonit.