Fondi fillestar për veriun mbi 3 milionë euro
Sipas vlerësimeve të para të Ministrisë së Financave në Kosovë, shuma për krijimin e Fondit për Zhvillimin e Veriut, mund të jetë mbi 3 milionë euro. Ky fond, sipas Ministrisë, nuk do të këtë impakt në projektet tjera që financohen nga buxheti i Kosovës.Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka theksuar se të ardhurat nga importi i mallrave që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare 1 dhe 31, e që destinohen në komunat e Mitrovicës e Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, do të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit, i cili do të themelohet dhe mbahet në një bankë komerciale nga Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë.Fondi për zhvillimin e veriut është krijuar në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd.Për mbushjen e këtij fondi mund të kontribuojë edhe Serbia, por vetëm në mënyrë transparente duke e bërë publik qëllimin e dërgesave.