PS mbledh Asamblenë Kombëtare, Rama: E majta para një sfide të madhe
Nga OraNews Përditësimi i fundit 5 Korrik 2013, 11:54
Qeveria aktuale duhet të kalojë në fazën e kujdestarisë dhe të heqë dorë nga marrja e vendimeve në funksion të programit të saj, i cili u ndëshkua me votë plebishiptare në 23 qershor. Me këtë apel i është drejtuar kreu i socialistëve dhe kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama Kryeministrit në largim Sali Berisha, ndërsa foli në Asamblenë e Kombetare te Partisë Socialiste. Të njëtin apel ai ka përsëritur edhe për subjektet private, duke i paralajmëruar se do të zhbëhet çdo kontratë e firmosur pas zgjedhjeve.“Qeveria aktuale duhet të pajtohet me realitetin dhe të kalojnë në një fazë kujdestarie pa marrë vendime në funksion të programit të tyre që u ndëshkua me votën e shqiptareve. U bëj thirrje të gjithë subjekteve që të mos vazhdojnë bashkëpunimin me këtë qeveri, pasi ne do jemi të rreptë me cdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar nga populli të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasuritë kombëtare për çëshje për të cilat u ndëshkua me votë” tha ai.Rama ka ftuar anëtarët e Asamblesë të analizojnë mirë rezultatin zgjedhor, sikundër të mësojnë nga libri i gabimeve të trashëguara nga kundërshtari politik, për të mos zhgënjyer popullin por dhe për të mos pasur të njëtin fat me ta pas katër vitesh.“Ne ishim të bindur në epërsinë e programit, skuadrës sonë, por askush nga ne nuk e priste këtë rezultat. Të gjithë besonin tek fitorja por askush nuk mendonte se fitorja do ishte kaq e thellë dhe shqiptarët do na ngarkonin një përgjegjësi kaq të madhe. Kjo fitore përbën një arsye edhe më të madhe sesa një humbje, për të lexuar më mirë rezultatin për të kuptuar se cfarë kanë dashur shqiptarët të na thonë me këtë mandat. Kjo është një votë jo për të ndryshuar qeverinë, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Jemi para një sfide shumë të madhe të cilën mund ta fitojmë vetëm sëbashku, padyshim edhe me aleatët tonë. Kjo votë nuk është për përsosmërinë tonë, por një votë që kërkon të përsosim më tej partinë tonë. Kundershtaret tane na kane lene nje liber shume te cmuar, me te gjitha gabimet qe ne nuk duhet te perserisim nese nuk duam ta zhgenjejme popullin shqiptar, ky liber duhet lexuar me shume vemendje, per rithemelimin e procesit qeverises dhe menyren se si duhet ta qeverisim vendin”- tha Rama.Sipas Kryesocialistit periudha 2005-2013 duhet te hyje ne histori si periudha e qeverisjes se korruptuar deri te kapja e shtetit.“Periudha 2005-2013 do të hyjë në historinë e këtij tranzicioni si periudha e kalimit nga një qeverisje e korruptuar tek kapja e shtetit. Një periudhë ku kthimi i partisë shtet dhe administratës në zyrë partie coi në një degradim dhe rrënim që shqiptarët e refuzuan me votë. Një politikë ku qeverisja u shkëput nga realiteti dhe u ndërtua një Shqipëri iamgjinare përmes propagandës, e rrënimit të figurës së deputetit, e me radhë e me radhë” theksoi ai.Në kuadër të angazhimit për mirëqeverisjen e vendit, Rama theksoi se duhet një reformë në funksion të sundimit të ligjit dhe një riorganizim i gjithë sistemit të administrimit të territorit si pasuri kombëtare dhe publike, por edhe si shprehje e gjithë interesave privatë dhe të parasë publike.“Duke nënvizuar këto pika, ne duhet të ndërtojmë një plan të ri nëse nuk duam të përfundojmë më keq se kundërshtarët tanë në sy të publikut. Jemi thirrur nga shqiptarët të ndërtojmë shtetin modern të tyre dhe koha vrapon shumë shpejt, duke përbërë edhe sfidën e parë dhe ndoshta kryesore që të jetojmë me kohën që vrapon dhe ta sjellim politikën në kohën që jeton Shqipëria. Shoqëria, sipërmarrja, komunitetet, administrata, individi, populli opozitar u stresuan përmes presionit qeveritar deri në atë pikë sa mori përgjigjen përmes një revolucioni të heshtur me votë. Na duhet të biem në një mendje që ky nuk është mandati i radhës për një qeveri të radhës, por mandati që ne na vendos përballë dy mundësish ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vitesh në mënyrë historike. Na duhet një reformë terësore në funksion të sundimit të ligjit, na duhet të fillojmë menjeherë për një ndarje të re territoriale në funksion të një administrimi terësisht të ri të territorit” vijoi kreu i PS.Sa i takon atyre që Rama i konsideron si çështje të një rëndësie parësore kombëtare, çështjen e ujit, legalizimeve dhe çështjen e klimës Së biznesit, Kryeministri i ardhshëm tha se do të angazhohet personalisht për zgjidhjen e tyre.“Na duhet të një ndarje drastike e policisë nga krimi dhe hapja e një betejë pa asnjë kompromis, ku shteti të marrë në dorë territorin duke shkuar drejt marrjes së pasurive kombëtare për ti kthyer në të mira ekonomike për popullin. Duhet të zgjidhim problemin e pronës, na duhen me shpejtësinë më të madhe legalizimin e zonave informale. Na duhet të auditojmë sistemin e funksionimin e shtetit shqiptar, për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale, duke filluar nga financat e vendit. Na duhet me shpejtësi të reformojmë dhe transformojmë administratën fiskale, të ndryshojmë të gjithë sistemin e menaxhimit të doganave dhe taksave” u shpreh Rama.Kreu i selisë rozë u ka kujtuar ligjvënësve socialistë të mandatuar nga populli në 23 qershor se tashmë nuk ka asnjë alibi për të thënë se kemi pengesa.“Shqiptaret na kanë dhënë gjithë përgjegjësinë, për ti kthyer në vepra ato që i kemi thënë me fjalë, brenda dy muajsh do të shikohen me vepra, është e domosdoshme që deputetet të ndjejnë barrën e jashtëzakonshme të mandatit e të kuptojmë se nuk është e mundur se Rilindja që kemi premtuar dhe ecja drejt BE të realizohen si projekt i dy tre individësh por vetëm si skuadër. Kemi premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të punës, nuk i bëmë për të marrë pushtetin e për të shkatërruar shtetin, nuk kemi bërë sikur në këtë betejë ku kemi humbur jetë njerëzish, ku kemi parë sakrifica njerëzish të zakonshëm që janë flakur në rrugë se nuk kanë dashur të rreshtohen me pushtetin, nuk duhet të bëjmë sikur asnjë moment sepse shpresa e madhe që kemi lindur brenda zemrës së këtij populli, besimi i jashtëzakoshëm që na ka dhënë është kërcënimi se mund të përfundojmë më keq se kundërshtari që kujtoi se mund ta fuste këtë popull ne xhep”- tha ai.Shefi i selisë rozë premtoi se qeveria e ardhshme, Ministrat e të cilëve nuk do të jenë deputetë, do të jenë në funksion më orar të plotë dhe në përpjekje të plotë për zgjidhjen e problemeve te qytetareve.
Duke kërkuar hapjen e PS për kontributorët që e sollën në pushtet, Edi Rama, u tregua i drejtëpërdrejtë kur tha se punësimet e reja do të kryehen vetëm në bazë të meritokracisë. Në fund të fjalës së tij, Edi Rama njoftoi se Taulant Balla do jetë anëtari i ri i kryesisë së PS, duke zënë kështu vendin e lënë bosh nga largimi i Arben Malajt.