Dita e pavarësisë së SHBA, Bumçi mesazh urimi Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry
Ministri i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi i dërgoi sot një telegram urimi sekretarit amerikan të shtetit, z. John Kerry me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA. Në mesazhin e zotit Bumçi, falenderon SHBA për gjithë mbështetjen që ka dhëne për vendin tonë, duke filluar nga formimi i shtetit shqiptar e deri sot në përballjen e sfidave për forcimin e demokracisë.“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më miqësore.Në këtë ditë të veçantë për popullin mik amerikan, gjej mundësinë, Zoti Sekretar i Shtetit, të konstatoj me kënaqësi se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë më të mira se kurrë, duke u karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit miqësor dhe partneritetit të ngushtë. Ne ju falenderojmë sinqerisht për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme që na keni ofruar, duke filluar nga formimi i shtetit shqiptar e deri sot në përballjen e sfidave për forcimin e demokracisë. Shqiptarët ju mbeten shumë mirënjohës, duke besuar plotësisht tek vlerat që ndajmë së bashku” shprehet Bumçi.Më tej kreu i diplomacisë shqiptare vlerëson se falë përpjekjeve të përbashkëta janë bërë hapa të rëndësishëm përpara në kuadër të forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.Në përfundim Bumci thekson se Shqipëria mbetet e angazhuar seriozisht për një rol konstruktiv dhe moderator në arenën rajonale duke kontribuar aktivisht në integrimin sa më të shpejtë të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike.