Nishani uron homologun e tij amerikan për Ditën e Pavarësisë
Presidenti Nishani uron Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama me rastin e Ditës së PavarësisëMe rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Në mesazhin e Tij, Presidenti Nishani duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve tanë, e siguron Presidentin Obama për vendosmërinë e palëkundur për t’i forcuar këto marrëdhënie edhe më tej në të ardhmen.“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Me këtë rast, më lejoni, Zoti President, të rikonfirmoj marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe t’Ju siguroj për vendosmërinë time të palëkundur për t’i forcuar këto marrëdhënie edhe më tej në të ardhmen.Shqipëria dhe shqiptarët janë dhe do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë ofruar në sfidat më të rëndësishme me të cilat kombi shqiptar është përballur përgjatë historisë së tij. Roli i SHBA-së ka qenë i pazëvendësueshëm në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në gjithë rajonin tonë” shkruan Nishani.Më tej në mesazhin e tij Nishani thekson se populli shqiptar mbetet seriozisht i angazhuar për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin ndërkombëtar në këtë drejtim.“Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon, si dhe do të kontribuojë në drejtim të forcimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Ballkan e më gjerë.Duke përsëritur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta, si dhe duke Ju uruar suksese në misionin Tuaj të rëndësishëm, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.Në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si çdo 4 korrik prej 237 vjet po festohet Dita e Pavarësisë, datë kur më 1776 13 kolonitë e para amerikane kanë shpallur pavarësinë nga Mbretëria Britanike.Festa e Pavarësisë tradicionalisht festohet me ndezje fishekziaresh, me parada në kryeqytet dhe qytete të tjera të mëdha, si dhe me koncerte festive dhe tubime e këngë patriotike e pikniqe. Por, shumica e amerikanëve e feston ditën e pavarësisë me darka familjare.Qyteti më i shënuar dhe më i vizituar të paktën në aspektin historik, mbetet Philadelphia në shtetin Pennsylvania, që njihet si vendlindja e SHBA, ku baballarët e kombit u takuan për të hartuar Deklaratën e Pavarësisë.Parada kryesore mbahet në Washington, ku tradicionalisht parakalojnë veteranët dhe bandat muzikore prej 50 shteteve nga mbarë vendi.Në përvjetorin e pavarësisë përkujtohet guximi i themeluesve të vendit dhe falënderohen forcat amerikane në shërbim në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe kontigjentin e forcave paqeruajtëse amerikane në Kosovë që me përkushtimin e sakrificën e tyre prej 14 vjetësh i shërbejnë paqes. Amerika, një shtet i ndërtuar mbi idealet, barazinë dhe lirinë do të bëhej për më tepër se dy shekuj një nga vendet më të preferuara për të emigruar, pikërisht në kërkim të këtyre idealeve.