Disfata e 23 qershorit, Alibali: E djathta duhet të hapë një epokë të re

Do të jemi një opozitë e tkurrur në numra, por kjo nuk do të jetë pengesë për të bërë një opozitë të fortë në Kuvendin e ri. Kështu deklaroi numri 2 i Partisë Republikane, Neritan Alibali, në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, ndërsa komentoi produktin final të zgjedhjeve të 23 qershorit. Humbjen e të djathtës në garën parlamentare, Alibali e lidh me shumë arsye, ndërsa vlerëson se bashkë me humbjen u mbyll dhe një cikël i saj, për ti hapur rrugë një epoke të re jo vetëm për të djathtën, por dhe politikën në terësi.“Në selinë e PR nuk ka gëzim pavarësiht se shumë njerëz më kanë marrë në telefon për të më uruar .lidhur me rezultatin pozitiv që pati partia jonë. Ne tashmë jemi pjesë e një koalicioni që humbi zgjedhjet dhe natyrisht në këtë humbje edhe PR ka përgjegjësinë e saj. Jemi në fazën e reflektimit, sic edhe forca të tjera të djathta do ta bëjnë në ditët në vijim. Si opozitë, nuk jemi në kushte komode që ka qenë opozita para nesh, mazhoranca do ketë 3/5 e deputetëve, mund të marrë një numër të madh vendimesh, por kjo nuk do të thotë që ne të mos bëjmë opozitë të fortë. Lidhur me arsyet e humbjes, ka shumë. 2 mandate qeverisje pas 8 vitesh ka një lodhje të mazhorancës pavarësisht sukseseve të saj. Mandati i parë nuk ka pasur të sharë, në mandatin e dytë u përballëm me krizën duke e shpëtuar vendin nga recesioni. Gjithsesi këto nuk rezultuan të mjaftueshme për të na votuar dhe ne e pranuam rezultatin, duke kaluar në opozitë. U mbyll një cikël i së djathtës jo vetëm i PD, e cila arriti të rrëzojë diktaturën dhe udhëhoqi vendin në pjesën më të mirë të tranzicionit. Duhet të filloj një cikël i ri i së djathtës që duhet të jetë më parimor, për të hapur një epokë të re të së djathtës dhe politikës shqiptare. Gjërat them se do disiplinohen, presim me vëmendje se cfarë do dalë nga gara e PD për zgjidhjen e lidërshipit të ri” tha ai.Kur jemi tek gara për lidershin e PD, nënkryetari i PR ndan konsiderata dhe vlerësime për të dy kandidaturat në garë. Sipas tij, cilido qoftë fituesi, si Olldashi ashtu dhe Basha kanë aftësinë të mësojnë nga gabimet e së shkuarës dhe të çojnë drejt një të ardhme premtuese PD dhe të djathtën në terësi.“Të dy kandidaturat i bëjnë nder garës për kreun e PD, luftojnë për të marrë një vend shumë të nderuar, vendin që ka pasur Sali Berisha, një burrë shteti i madh, njeri që ka mbajtur mbi shpatullat e veta barra shumë të mëdha që pak kush mund ti mbante. Ka qenë një nder për mua që kam pasur fatin të punoj me të dhe një shkollë për mua. Pjesmarrja e zotit Olldashi, e njoh si një njeri me integritet, luftëtar, sikurse zoti Basha që është një intelektual i shkëlqyer, një person që ka treguar vlera edhe në qeverisje. Janë personalitete të tilla që nuk do bënin teatër, gara ka integritet se të dy këta kandidatë kanë integritet. Simbolika e një partie padiskutim që mbartet, por të dy kandidatët kanë aftësinë të mësojnë nga gabimet e kësaj periudhe dhe ta cojnë përpara PD. Kushdo që të dalë fitues , jam i bindur se PD ka një të ardhme dhe ne si opozitë do të mund ta bëjmë më së miri detyrën tonë” theksoi Alibali.Në cilësinë e zëvendës.ministrit në ikje të METE, ai komentoi edhe projektin TAP, duke e vlerësuar një mundësi të artë dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin, pas anëtarësimit në NATO. E për këtë projekt që tashmë shkon si dhuratë e kësaj qeverisje për atë që do vijë në shtator, Alibali nuk nguron t’ia njohë meritat të gjithë atyre që kanë kontribuar, në mënyrë të vecantë Kryeministrit Berisha, duke e quajtur gati-gati një fitore personale të tij.“Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, është arritja më e madhe për Shqipërinë. Ka qenë një këmbëngulje e jashtëzakonshme e kryeministrit Berisha, është një fitore ndoshta ndoshta personale e tij, është një projekt i madh që e bën Shqipërinë nga pikëpamja gjeostrategjike një nga vendet më të rëndësishme të Europës. Shqipëria, por dhe BE do ketë benefice të mëdha nga ky projekt. Të gjitha përfitimet si ekonomike ashtu dhe politike do të jenë shumë të mëdha për vendin tonë” përfundoi nënkryetari i PR dhe zëvendësministër i METE, Neritan Alibali..