Berisha takon kreun e BDI Ali Ahmeti
Kryeministri Berisha priti sot në një takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti.Në një prononcim të përbashkët për mediat pas takimit, kryeministri Berisha theksoi se vlerësoi kontributin e Ahmetit për marrëveshjen e Ohrit.“Pata një kënaqësi shumë të madhe në takimin me zotin Ali Ahmeti kryetar i Bashkimit Demokratik për integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, parti e cila ka luajtur një rol thelbësor në marrëveshjen e Ohrit dhe promovimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, por dhe stabilitetin në tërësi të Maqedonisë. Zoti Ali Ahmeti si kryetar i kësaj partie ka merita shumë të mëdha në të gjitha zhvillimet pozitive nga marrëveshja e Ohrit tek zbatimi i saj, faktorë që sollën marrëveshjen e Ohrit, kontributin që jep në një situatë jo të lehtë për stabilitetin dhe progresin e mëtejshëm të Maqedonisë” tha Berisha.Ndërsa Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim Ali Ahmeti theksoi se ardhja e tij në Tiranë kishte si synim ta falenderonte kryeministrin për kujdesin që ka treguar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë për 8 vite me rradhë, në krye të shtetit shqiptar.“Kam ardhur ta falënderoj për bashkëpunimin, për punën e madhe dhe të mirë që ne kemi arritur të realizojmë, kam ardhur ta falënderoj për këshillat vëllazërore që unë kam patur gjatë zhvillimeve , gjatë proceseve, me të vërtetë edhe të vështira, edhe specifike, në Republikën e Maqedonisë. Kam ardhur ta falënderoj për të gjithë përkrahjen që na ka dhënë që edhe vendi ynë të zërë vendin e merituar në NATO, dhe në strukturat evropiane. Kam ardhur ti them publikisht se do të mbetet udhëheqës dhe kryeministër i përhershëm për shqiptarët e Maqedonisë nga ata shqiptarë që unë përfaqësoj” shtoi Ahmeti.