Basha shpall kandidaturën: Vendim i vështirë. Qëllim ringritja e PD-së

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës.Në një konferencë për shtyp nga selia blu, kryebashkiaku Basha vlerësoi lidershipin Berisha duke theksuar ai është i pazëvendësueshëm, pasi ai mbetet lideri historik."Një javë më parë kreu i PD-së dhe kryeministri Berisha iu drejtua demokratëve me një mesazh që jam i bindur që ju ashtu edhe unë donit që të ishte krejt tjetër. Sot familja e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Çdo demokrat të jap kontributin për ringritjen e PD-së. Pas një reflektimi të gjatë dhe pas një bisede me kryeministrin ka marrë vendimin më të vështirë të ejtës sime por edhe në kthjelltësinë më të madhe për të kandiduar për kreun e PD-së” tha Basha.Ai shtoi se ka ndjerë vendosmërinë e simpatizantëve të PD-së për tu ringritur dhe forcën për një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si mazhorancë.“Sot, familja e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Të gjithë duhet të japin kontributin për fillimin e ri. Jam i vetëdijshëm që ky është një hap i madh pasi bëhet fjalë për një parti të madhe që ka shkruar historinë. Detyra që na pret nuk është e lehtë, sfidat janë të mëdha, por historia jonë 23-vjeçare tregon se gjithmonë ia kemi dalë. Ju ftoj të ecim së bashku me projektin e ringritjes dhe fitores. PD-ja do të mbështetet në anëtarët dhe militantët e saj që kanë dhënë kontribut ndër vite. PD-ja do të ndërtojë një sistem të qartë dhe transparent për kreditimin e kontributeve të çdo anëtari”, theksoi Basha.Ai theksoi më tej se do të punojë fort për të ringritur PD-në në mënyrë që kjo forcë të jetë një zë i fortë në Parlament."Unë do të punojë që Partia Demokratike të jetë zëri i qytetarëve. Partia Demokratike do të jetë përçuese e ëndrrave të të rinjve. Unë do të punoj fort që Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar të angazhohet për një opozitë të fortë. Ne do të vigjilojmë për mbrojtjen e shtetit ligjor nga albitraliteti dhe abuzimi me pushtetin" tha Basha.Basha theksoi se qëllimi i garës është ringritja e PD-së dhe nuk duhet të ketë vend për negativizma por të gjithë të japin kontributin e tyre."Qëllimi i parë i kësaj gare është që të dalim më të bashkuar. Iu kërkoj që kjo garë të jetë një shembull i asaj që ne dimë të bëjmë më mirë. Negativizmi nuk ka vend. Qëllimi i madh është ringritja e PD-së dhe fitorja e ardhshme” tha Basha.Ndërsa ka vlerësuar arritjet e vendit në sajë të drejtimit të Partisë Demokratike, Basha shtoi se opozita e djathtë nuk do të hezitojë të japë kontributin e saj që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat me Bashkimin Europian.Ndërkohë, ditën e djeshme Sokol Olldashi bëri publike lajmin për kandidimin e tij në krye të PD duke theksuar se hyn në këtë garë dhe se kërkon që të përfaqësojë denjësisht vlerat e demokratëve.Partia Demokratike do të zgjedhë lidershipin e ri pas dorëheqjes nga ky post të Sali Berishës, si pasojë e humbjeve në zgjedhjet e 23 qershorit.Sipas liderit aktual Berisha pasardhësi i tij do të zgjidhet në fillim të muajit gusht, ndërsa votimi i lidershipit të ri do të bëhet sipas parimit një anëtar një votë.