Sequi takon Ilir Metën: Gjithëpërfshirje dhe reforma për integrimin

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi është takuar sot me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.Në një prononcim të përbashkët për shtyp, kreu i LSI-së Ilir Meta ka garantuar angazhim të plotë për plotësimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe integrimin në Bashkimin Europian.Meta ka deklaruar se në këtë proçes do të ketë gjithëpërfshirje duke shtuar se do të punohet shumë për të çuar përpara vendin. “Ishte kënaqësi për të takuar sot Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi dhe për të ndarë disa vlerësime për zgjedhjet e 23 qershorit. Me këtë rast unë shpreha falënderimet më të përzemërta për angazhimin e tij dhe për angazhimet e Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian, të Parlamentit Evropian, i cili ishte mjaft aktiv për monitorimin e zgjedhjeve. Sepse dihet që këto zgjedhje ishin një moment kyç për të ardhmen e statusit kandidat në Bashkimit Evropian të vendit tonë dhe unë besoj se falë shpirtit evropian të qytetarëve tanë këto zgjedhje dhanë një mesazh të qartë për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të vendit ndaj dhe e garantova ambasadorin Sequi se do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë dhe akoma më ngushtë për të çuar përpara të gjitha reformat që shpejtojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Pak javë më parë ne arritëm me konsensus në parlament gjatë fushatës elektorale të miratojmë tre ligjet edhe pse me vonesë. Tani besoj se është e gjithë mundësia për të krijuar një klimë me themele të qëndrueshme dhe afatgjata të bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes midis mazhorancës së re dhe opozitës së re. Është mundësia për të përfshirë në këtë proces reformash edhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë sonë, shoqërisë civile, grupet e interesit, qarqet akademike dhe universitare në mënyrë që këto reforma të fitojnë një temp të ri, por edhe të gëzojnë një konsensus sa më të gjerë shoqëror dhe politik" tha Meta.Ndërkohë ambasadori i BE-së Sequi ka vlerësuar gatishmërinë e kreut të LSI-së për gjithëpërfshirje.“Erdha në zyrat e LSI-së për të uruar z. Meta për fitoren e madhe në zgjedhje. Gjithashtu, edhe për të falënderuar atë për rolin e tij në promovimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Është e vështirë që të mos bie dakord me fjalët aq elokuente që përdori z. Meta, sepse kjo është pikërisht ajo që në presim nga Shqipëria në mënyrë që të ecet përpara me sukses në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Pas këtyre zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të qetë drejt pushtetit në mënyrë që të përqendrohet puna te axhenda e reformave të cilat janë të nevojshme për Shqipërinë. Jam veçanërisht i kënaqur nga përdorimi i fjalës “gjithëpërfshirje” dhe që është një fjalë kyçe. Sepse procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një proces i cili përfshin të gjithë vendin. Pikërisht nga ato elementë që përmendi edhe z. Meta. Të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat janë aty për Shqipërinë dhe kemi besim se kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri" tha ambasadori.I pyetur mbi faktin se mazhoranca tani mund të miratojë çdo ligj pa ia pasur nevojën opozitës, Sequi u përgjigj: "Unë besoj që përvoja dhe vizioni i z. Meta nuk kanë nevojë për këshilla. Edhe në fakt fjalën “gjithëpërfshirje” ne të dy e kemi përmendur edhe në të kaluarën. Kështu që nuk shoh asnjë arsye përse fjalë gjithëpërfshirje të mos jetë një fjalë po aq kyçe edhe në të ardhmen".Ndërsa kreu i LSI, Ilir Meta theksoi se pavarësisht nga mazhoranca prej 84 votash, për çështje të rëndësishme dhe kruçiale, nuk do mjaftonte një votim i bazuar mbi nurmat, por një konsensus sa më i gjerë edhe me opozitën. "Ky ka qenë është dhe do të jetë vullneti ynë në të ardhmen dhe ne besojmë se në këtë mënyrë demonstrojmë një filozofi të re të mazhorancës së re dhe presim një përgjigje të re nga opozita e re për filozofinë e saj për të ardhmen" shtoi Meta.I pyetur se çfarë nënkupton me trazion të qetë të pushtetit në Shqipëri, ambasadori Sequi u përgjigj: “E kam fjalën se duhet të jetë një periudhë kur të kalojë pushteti nga njëra palë te tjera gjatë të cilës mazhoranca e re dhe opozita e re të shikojnë pozicionet e tyre dhe të gjejnë një mënyrë sa më efektive për të punuar bashkërisht në të ardhmen. Sepse kjo është shumë e rëndësishme për një proces sa më të suksesshëm të integrimit evropian të vendit. Në fakt, kjo është një gjë që të cilën e theksoi edhe z. Meta, por ne shikojmë që kemi pasur edhe urime nga udhëheqësit politikë të vendit për njëri-tjetrin. Kështu që besoj se kjo tregon një mentalitet të ri politik sa i përket situatës në Shqipëri. Një mentalitet i ri politik i cili vërtetë duhet të ndihmojë këtë tranzicion të qetë”.