Zenit kërkon Vuçiniç, gati "fshesa" e sulmuesve të Juve

Ardhja e Tevez dhe Lorentes te skuadra e Juventusit, duket se do të shoqërohet me largime të shumta në repartin e avancuar.Aktualisht skuadra bardhezi ka në dispozicion 7 sulmues, disa prej të cilëve pritet të bëjnë gati valixhet për të provuar ndonjë aventurë të re larg kampionëve të Italisë. Sipas mediave italiane dhe konkretisht sipas raportimeve të “Sport Mediaset”, emri më i lakuar në orët e fundit për lamtumirë nga Juventus, është malazezi, Mirko Vuçiniç.Ish sulmi i Romës kërkohet nga shumë skuadra europiane por deri tani në zyrat e skuadrës së Zonjës së Vjetër ka ardhur vetëm një ofertë nga Rusia. Drejtuesit e skuadrës së Zenit Shën Petersburg, kanë prezantuar ofertën e tyre zyrtare prej 17 milion eurosh për të blerë kartonin e bomberit ballkanas. Sugjerimi për të blerë Vuçiniç duket se ka ardhur nga trajneri i kësaj skuadre, Luçiano Spaleti, i cili e njeh mirë sulmuesin malazes, pasi e ka patur nën drejtim kur të dy ishin pjesë e skuadrës së Romës. Tani pritet përgjigja e Bardhezinjve të cilët duket se janë tunduar disi nga oferta e rusëve. Nëse oferta pranohet, atëherë bardhezinjtë duhet të nxjerrin në merkato edhe një sulmues tjetër mes Matrit, Kualiareles dhe Xhovinkos pasi Bendner është i huazur dhe largimi tij nuk varet shumë nga drejtuesit e Juventusit. Për Matrin një interes të vazhdueshem vazhdon të shfaqë skuadra e Milan ndërsa për Kualiarelen Fiorentina duket në Pole Position.Marrdhëniet jo shumë të mira mes dy klubeve mund të frenojnë disi kalimin e Kualiarelës në radhët e vjollcëve. Ndërsa i vetmi që deri tani nuk ka patur oferta është Xhovinko, i cili me shumë gjasa do të vazhdojë të mbetet pjesë e skuadres bardhezi edhe për edicionet e ardheshme.Tani mbetet për tu parë se cilët do të jenë sulmuesit që do ti thonë lamtumirë kampioneve të Italisë në këtë merkato verore, e cila natyrisht që nuk do të ketë vetëm afrime.