Koalicioni për nxitjen e grave: Qeveria e re të ketë të paktën 30 përqind gra

Koalicioni për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë kërkon nga Partia Socialiste që të respektojnë kuotën gjinore 30 përqind gra në qeverinë e re.Në një letër të hapur drejtuar Partisë Socialiste, si forca fituese e zgjedhjeve parlamentare, koalicioni  ka vënë në dukje se mosrespektimi I kuotës gjinore në listat e deputetëve ka sjellë që vetëm 25 gra të jenë pjesë e kuvendit të ardhshëm.“Deri më tani nuk dihet zyrtarisht se se si po proçedohet për përzgjedhjen e kabinetit të ardhshëm dhe se sa të përfshira janë gratë në këtë proces vendim-marrës.  Nisur nga kjo mungesë transparence dhe nga eksperiencat e mëparshme, kur gratë dhe vajzat kanë qenë gjithmonë të nën-përfaqësuara në Qeveri dhe qeverisje,  Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë i kërkon publikisht Partisë Socialiste, si forca fituese e zgjedhjeve parlamentare, të respektojë dhe zbatojë kuotën gjinore 30% në përbërjen e qeverisë së ardhshme.  Partitë kryesore politike kanë një historik të gjatë të mos-zbatimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe premtimeve të tyre elektorale. Kuota gjinore nuk u zbatua gjatë zgjedhjeve të fundit, çka solli edhe një numër të vogël të grave që do të jenë deputete të parlamentit të ardhshëm. Rezulton se në Kuvendin e ardhshëm do të kemi 25 gra deputete, pra rreth 17%, çka është ende shumë larg kuotës gjinore minimum 30 % të synuar dhe premtuar nga partitë politike” thuhet në letër.Ja disa nga kërkesat e koalicionit për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë drejtuar Partisë Socialiste dhe të gjitha partive politike të koalicionit të majtë.1.  Të zbatojnë kuotën gjinore 30% të përfaqësimit të grave në qeverinë e ardhshme (5 ministre gra) që rrjedh nga Ligji ‘Për barazinë gjinore në shoqëri’;2. Të ndërmarrin një proces demokratik dhe transparent vendim-marrjeje për përbërjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar;3.  Të përmbushin angazhimet e tyre publike në mbështetje të grave dhe vajzave në vendimmarrje, përmes zbatimit të ligjit dhe vendosjes së standartave të reja të arritjes së barazisë gjinore në Shqipëri;Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë shpreh bindjen e tij se zbatimi i kërkesave tona për respektimin e ligjit dhe të të drejtave të grave janë mënyra më e mirë për të dëshmuar seriozitetin e premtimeve politike të partive fituese në zgjedhje dhe do të tregojë sesa të zhvilluar dhe demokratik doni ta bëni vendin dhe shoqërinë tonë!