Partia Socialiste mbush 22 vjet, të majtët festojnë fitoren dhe ditëlindjen
Në një ceremoni me më shumë se 500 të ftuar Partia Socialiste kremtoi 22-vjetorin e themelimit dhe fioren e zgjedhjeve të 23 qershorit.Me tingujt e violinës në sfond socialistët uruan këtë përvjetor që fitorja e bën ndoshta të paharrueshëm. Mes të pranishmëve ishin themelues të PS-së, deputetë të rinj e të vjetër ambasadorë të akredituar në Tiranë, drejtues të medias e gazetar.I ftuar i veçantë në ceremoni ishte kreu i LSI-së Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza.Edi Rama i cili mbërriti i fundit i shoqëruar nga bashkëshorja Linda pasi takoi disa prej të ftuarve, në fjalën e rastit u angazhua për një qeverisje me nder dhe urtësi për të çuar përpara zbatimin e Programit të Rilindjes.Ai falenderoi kreun e LSI-së Ilir Meta për bashkimin që bëri të mundur fitoren e 23 qershorit. "Lejomëni të falënderoj sonte në mënyrë të veçantë, aleatët tanë strategjikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe personalisht Ilir Metën, për gjithçka bëri nga ana e tij që interesi i madh i familjes së madhe të socialistëve e progresistëve shqiptarë, interesi i vetë Shqipërisë, të fitonte mbi dasitë e konfliktet e të shkuarës mes nesh. Jam i bindur se koha do ta provojë edhe në qeverisje atë që 23 qershori provoi në zgjedhje: PS dhe LSI janë dy parti që si një fuqi e vetme mund të bëjnë histori në këtë vend" tha Rama.Kreu i PS-së premtoi respekt ndaj opozitës duke thënë se nuk do jetë diktatori i radhës."Unë vetë do të jem papushim i angazhuar, jo vetëm me mendje por edhe me zemër që piciri që kemi hequr në opozitë të na vlejë jo si yshtje për revansh, por si mësim, për çfarë nuk duhet të bëjë një qeveri kundër opozitës. këtu kam parasysh jo vetëm opozitën zyrtare, atë pa diskutim, por opozitarizmin si shqisë shoqërore, kudo ku vihet në lëvizje. Askush në Shqipëri nuk do të kërcënohet më në notën e shkollës, ose në bukën e gojës për shkak të kësaj shqise jetike për lirinë e shoqërisë dhe për cilësinë e bashkëjetesës me njëri-tjetrin. Jam gjithashtu i bindur se Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë do të jetë garanti i një kapitulli të ri të parlamentarizmit shqiptar. Jo vetëm për opozitën parlamentare pa asnjë dyshim, po edhe për grupet e interesit në procesin ligjbërës. Jemi në një Shqipëri të rrënuar, në një Shqipëri që duam të rilindim dhe mund t'a rilindim vetëm të gjithë së bashku. Prandaj ne do ta shohim dhe trajtojmë çdo shqiptar si një partner në përpjekjen tonë historike për t'a rilindur këtë vend dhe për të ecur më shpejt në realizimin e projektit të Shqipërisë Evropiane" theksoi ai.Pavarësisht ftesës, në ceremoni munguan kryeministri Sali Berisha, ish kreu i PS-së, Fatos Nano si dhe dy aleatët e PS-së Skënder Gjinushi dhe Vangjel Dule.