Të vjedhësh aleatin!

Tashmë votimet kanë mbaruar dhe dihen rezultatet. Njihen fituesit dhe humbësi i madh, që është PD. Por njerëzit nuk dinë saktësisht se ç’ka ndodhur me partitë e vogla. Edhe mund të kenë të drejtë, ndërkohë që kanë një mijë halle të tyre e nuk iu shkon mendja për të vegjlit, nga të cilët dikush është mikluar e i kanë mbushur koshin me vota vetë PD-ja, kurse disa të tjerë janë sakatuar po nga numëruesit e PD-së. Në të vërtetë nuk kisha ndër mend të shkruaja për këtë që po shkruaj, porse duke kontrolluar website-in e KQZ për votat e LDK në Rrogozhinë, Kavajë dhe në katër qendrat e votimit te gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ku unë banoj prej 20 vitesh, u habita nga ato çka kishin dorëzuar në KQZ këto komisionet zonale, ose siç quhet ndryshe, KZAZ. E them këtë pasi nuk kisha asnjë vëzhgues në të gjitha KZAZ-të dhe votat e mia i ruante PD dhe i hanin nja dy parti të vogla aleate, natyrisht bashkë me PD. Pra, në KQZ në gjithë Rrogozhinën kisha marrë një votë, ndërkohë që kisha 25 veta në shtabin e fushatës së këtij qyteti! Në krejt Kavajën dhe rrethinat e saj pas dy javë takimesh përditë me banorët kavajas më kishin lenë vetëm dy vota! I përmenda këto dy zona pasi kam punuar shumë dhe kisha me të vërtetë shumë e shumë vota. Në qendrën e votimit te gjimnazi “Petro Nini” në Tiranë, ku votuam unë, bashkëshortja, djali i madh, vjehrri e vjehrra, me dalin tre vota! Ndërkohë që vetëm nga pallati ku banoj kisha të garantuara pa asnjë dyshim 19 vota, përveç familjes sime. Bile banorët e pallatit, të cilët më dhanë votën, më thanë që të deklarojmë me noteri votën dhe kërko hapjen e kutive. Dhe shto këtu shumë vota në lagje, të cilat pa asnjë hezitim ishin diku te 60 vota. E them këtë fakt se njoh mirë çdo familje të pallateve fqinje. Kur më thanë rezultatin te gjimnazi “Petro Nini”, në fillim u nxeha, por më pas e mora si me shaka, bile takova disa kolegë të vjetër të medias dhe kur ua tregova këtë historinë me votat te qendra e votimit në lagjen time, qeshën më të madhe, pasi u dukej histori e bukur, aq sa njëri më tha: “Ore, mos nuk të ka votuar vjehrri!”. Me këtë humor, pasi nuk kisha ç’të bëja tjetër, shkova te vjehrri. I thashë, natyrisht duke qeshur, se “nuk më del vota jote, vjehërr”. Ai e mori seriozisht dhe u xhindos, pasi për mua kishte votuar, porse nuk mund të mos ia tregoja këtë histori. E kështu jam i bindur se ka ndodhur në shumë e shumë qendra votimi në bashkinë e Vorës, Kamzës, komunën Kashar e në krejt kryeqytetin ku unë kandidoja për deputet. E për të qenë edhe më të saktë me lexuesin, pasi për vete tashmë, siç thashë më sipër, e marr me humor se nuk kam ç’të bëj! Unë kisha marrëveshje me PD si parti kryesore e koalicionit dhe në marrëveshje thuhet se PD garanton ruajtjen e votës së partive aleate etj., etj. Sipas Kodit Zgjedhor, numëruesit e votave të shqiptarëve janë PS e LSI me nga një komisioner dhe PD me dy veta. Para ditës së votimeve kërkova nga PD autorizime për vëzhguesit e mi, të cilët të shikonin procesin e numërimit të votave. Zoti Njazi Kosovrasti i PD dhe disa drejtues të tjerë demokratë më garantuan për autorizimet. Natën e datës 23 qershor, kur kutitë po shkonin drejt qendrave të numërimit të votave, insistova me forcë për autorizimet. Asgjë! Përdora telefona e SMS, prapë asgjë. Ndërkohë kutitë kishin filluar të hapeshin. Vetëm PR e PDIU e ndonjë parti me “mik” kishte autorizime për vëzhgues nga selia blu. Nuk kisha ç’të bëja as unë, por as disa kolegë të partive të tjera. Kishim varur me dorën tonë mëlçitë në qafën e ujkut! Por kishte edhe çakej vëzhgues nga koalicioni, të cilët masakronin bashkë me numëruesit demokratë votat e mia, por edhe të kandidatit të PDK-së, zotit Frrok Gjini dhe të kandidatit të legalistëve. Te votat e mia po bënin masakër, pa hesap. PS dhe LSI gjatë numërimit merreshin me votat e tyre dhe partive të koalicionit të majtë, ndërsa unë dhe disa parti të tjera kishim caktuar PD të na i ruante, e jo se donim, porse Kodi Zgjedhor vetëm atë lejonte. Edhe po të shikosh, gjë që është transmetuar në TV, tavolinat e numërimit të votave ishin kaq të vogla, sa nuk kishte vend përveç fletëve pro PS, LSI e PD e kësisoj hamendësoj, ndonëse faktet këtë thonë, se aleati im, PD, i ka mbivendosur votat e mia, porse edhe të disave, te fletët e saj ose të ndonjë partie tjetër mike historike. Dhe i ka numëruar më pas si të PD apo të ndonjë partie, e cila mori mandat deputeti. Kështu ka ndodhur pasi nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, përderisa me garanci absolute pohoj nga një deputet i është vjedhur në Tiranë Partisë së Legalistëve, PDK së Nard Ndokës dhe mua personalisht. Edhe të bërtasësh tashmë nuk të besojnë, ndaj edhe unë e tregoj sa për t’u çliruar nga dilema nëse duhej shkruar apo jo kjo që na ka ndodhur. Ja e thashë, por votat janë aty në kuti dhe mandati im, i zotit Frrok Gjini dhe i kandidatit legalist është tjetërsuar në parti të tjera.Tani gjithçka ka mbaruar dhe e kotë të bërtasësh, pasi shumëkush mund të thotë “po ti ç’pate që shkove tek ujku?!”. E drejtë, porse po kujtoj atë shprehjen e urtë popullore, e cila thotë se “me rrejsh (gënjesh) herën e parë, të vraftë Zoti, por në me rrejsh (gënjesh) për së dyti, të ruajttë Zoti!”. Kjo ishte herë e parë për mua në Tiranë. Herë të dytë nuk do të ketë në këtë mënyrë, ndryshe “të ruajttë Zoti!”.Burimi : panorama.com.al