Euro qëndron e fortë ndaj Lekut
Ardhja e emigrantëve nuk ndikon aspak në dobësimin e euros ndaj lekut. Tashmë jemi në periudhë pushimesh dhe shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet europiane kthehen pranë familjeve të tyre duke sjellë edhe të ardhurat e mbledhura gjatë punës.E megjithatë ajo që vihet re është fakti se paratë e sjella nga emigrantët kanë ardhur duke u pakësuar nga viti në vit duke mos dhënë asnjë efekt në dobësimin e euros. Ky është viti i pestë radhazi që remitancat janë në rënie e kjo është më e rëndë për ekonominë shqiptare.Dy hipoteza janë ngritur për të shpjeguar këtë rënie. Hipoteza e parë lidhet me ecurinë e punësimit në Greqi dhe Itali, dy vendet ku jeton pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë. Teoria e dytë lidhet me shkëputjen e lidhjeve me atdheun dhe ndërprerjen ose ngadalësimin e emigrimit mes të rinjve. Si rezultat një euro shkëmbehet tashmë me 141 lekë në kursin e këmbimit valutor.Po ashtu vlerësim ka pësuar edhe dollari amerikan i cili tashmë ka kapur kuotën e 108 lekëve.Vlerësimi i monedhës europiane kundrejt monedhës sonë ka aspekte negative pasi sitemi bankar operon kryesisht me euro duke dëmtuar shqiptarët kredimarrës.Gjithashtu një vlerësim i euros ndikon edhe në cmimet e produkteve ushqimore të cilat blihen më shtrenjtë.Zakonisht vitet e kaluara periudha e vereës ka qenë periudha kur euro shvlerësohej në maksimum e ndikuar kjo së tepërmi prej remitancave që sillnin emigrantët në vendin tonë.Mesa duket kriza ekonomike që ka përfshirë vendet ku shqiptarët punojnë po jep efekte negative edhe në ekonominë tonë. Gjatë muajve të parë të këtij viti monedha europiane ka qenë në kuotat e mbi 140 lekëve dhe sipas ekspertëve pritet që të vijoj me këtë trend edhe në muajt në vazhdim.