Malaj: Shqiptarët meritojnë rrotacionin, Vlora të jetë modeli dhe suksesi i së majtës

Kandidati i pavarur në Vlorë Arben Malaj në një deklaratë për shtyp ka deklaruar se shqiptarët e meritojnë rrotacionin dhe se Vlora duhet të jetë modeli dhe suksesi i së majtës.“Listat dhe qeveritë e shokëve dhe të miqve e dëmtojnë Vlorën dhe Shqipërinë. Vlonjatët e vlerësojnë miqësinë dhe e urrejnë pabesinë, si në rastin e Kushtetutës dhe atë të listave të minutës së fundit. Vlonjatët e duan pavarësinë dhe e urrejnë nënshtrimin, e duan lirinë dhe i kanë rrëzuar diktaturat. Vlonjatët kanë bërë histori duke u përkushtuar dhe jo duke u zvarritur. Mençuria, trimëria dhe sinqeriteti janë shpirti dhe historia e tyre, pabesia dhe djallëzia, kurrë s'kanë hedhur rrënjë në Vlorë. Vlora më ka dhënë pavarësinë dhe krenarinë, unë dashurinë dhe përkushtimin.Politika është mision ndaj vendit dhe jo ndaj miqve personalë.Jam i sigurtë, në qarkun e Pavarësisë do të votohet për ndryshimin, do të votohet për ta vrarë frikën, do të votohet jo për karriget, por për përgjegjësitë tona. Mirënjohja ime ndaj tyre do të jetë e përhershme dhe e sinqertë” thekson Malaj.Gjithashtu, Arben Malaj u kërkon vlonjatëve të marrin pjesë masivisht në votime dhe të mos e shesin votën e tyre.“Merrni pjesë në votime, votoni të lirë. Kush shet votën, blen varfërinë.Votoni me zemër dhe jo me urdhër partie.Votoni kundër listave të kryetarëve dhe mbështesni më të mirët në çdo qark të Shqipërisë. Ta nxjerrim Shqipërinë nga ngërçet, grindjet dhe krizat.Ta shpëtojmë Shqipërinë nga gremina e krizës ku po na çon qeverisja e dështuar Berisha.Të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike meritojnë një të ardhme më të mire” përfundon deklarata e Malajt.