Nishani takohet me Komunitetin Shqiptaro-Hebre në Karmiel

Ditën e dytë të qëndrimit në Izrael, Presidenti i Republikës e mbylli me një takim me Komunitetin Shqiptaro-Hebre të qytetit të Karmiel, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Karmiel, Adi Eldar.Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Eldar u shpreh se shqiptarët me origjinë hebreje janë nga ambasadorët më të vlefshëm të Shqipërisë në Izrael.Presidenti Nishani, në fjalën e tij, falenderoi bashkinë e Karmielit dhe kryetarin e saj Eldar për pritjen e shkëlqyer për `qytetarët e Shqipërisë, bashkëkombas tuaj` duke shtuar se ata janë gjithashtu një urë e fortë në miqësinë tradicionale dhe të sprovuar mes dy popujve dhe vendeve tona dhe promovuesit më të aftë të imazhit të Shqipërisë në Izrael.Më tej, Kreu i Shtetit informoi të pranishmit për zhvillimet e gjithanshme, në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në fushën ekonomike dhe politike në Shqipëri, për të ardhmen e saj evropiane dhe rolin konstruktiv në rajon dhe i ftoi të bëhen pjesë e këtij zhvillimi në mënyrë konkrete, përmes inkurajimit të turistëve dhe investitorëvë izraelitë për të ardhur në Shqipëri, ose përmes dhënies së mendimeve dhe ekspertizës së tyre, duke vënë në dukje se Presidenti i Republikës ka krijuar `rrjetin e miqve të Shqipërisë` për këtë qëllim.Bashkëbisedimi u mbyll me një komunikim shumë të lirshëm, gjatë të cilit Presidenti Nishani iu përgjigj interesimit që shumë nga pjesëmarrësit paraqitën për situatën dhe të ardhmen e Shqipërisë, për çështje të karakterit ligjor, mundësitë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe gjuhës shqipe te gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve në Izrael, mundësitë e zhvillimit të turizmit, lidhjes direkte ajrore Tiranë - Tel Aviv, etj..