Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jetë të shqetësuara lidhur me situatën në KQZ. Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se u takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Ai tha se ka rëndësi të madhe që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke mbajtur zgjedhje të rregullta.“Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se të gjitha këto aspekte do të kenë rol shumë të madh në përcaktimin e ritmeve dhe hapave të ardhshëm të statusit të Shqipërisë si vend kandidat, dhe do të ishte me pasoja reale nëse do të kishte mosmarrëveshje të gjata dhe të papajtueshme rreth rezultatit. Ne presim udhëheqje, kandidatë dhe institucione të përgjegjshme që këto zgjedhje t’i zhvillojnë në mënyrë të rregullt dhe më pas, pasi votimi të mbarojë, t’i zhvillojnë fazat e tjera po me rregullsi. U takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Është sinjal i rëndësishëm që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla. Në rajon kemi parë zgjedhje të zhvilluara mirë, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, që kanë plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta sipas përcaktimit të OSBE/ODIHR-it. Unë kam besim se edhe në Shqipëri kjo mund të ndodhë, por ajo kërkon përpjekje serioze nga të gjitha palët, nga qeveria, opozita, të gjithë kandidatët, institucionet dhe të gjithë banorët, për të kërkuar që këto zgjedhje të jenë të mira për Shqipërinë dhe për të ardhmen e Shqipërisë” tha ai.Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit thekson se moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket çertifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. Por megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, shton ai, partitë politike, kandidatët, si qeveria edhe opozita, kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet, dhe ato kanë përgjegjësinë t’i zhvillojnë këto zgjedhje në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s.“Një nga gjërat për të cilat kam folur dhe jam shprehur qartazi më parë përpara Kongresit, është se për të plotësuar standartet ndërkombëtare, institucionet duhet të shihen si të pavarura dhe plotësisht funksionuese. Moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket certifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. Ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kemi theksuar se kjo është një çështje e rëndësishme të cilës i duhet kushtuar vëmendje. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se populli shqiptar, shtetasit me të drejtë vote, kanë më pak besim tek procesi, si rezultat i vazhdimit të vështirësive me statusin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, partitë politike, kandidatët, si qeveria edhe opozita, kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet, dhe ato kanë përgjegjësinë t’i zhvillojnë këto zgjedhje në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s, në mënyrë që gjithë populli shqiptar të ndihet krenar për to” u shpreh Reeker.
I pyetur është e pranueshme që rezultati të certifikohet nga Kolegji Zgjedhor, Philip Reeker u përgjigj:
“ Ligjet e Shqipërisë, kushtetuta e Shqipërisë, parashikojnë procedura ligjore për këto raste. Siç e theksuam, duke mos e plotësuar KQZ-në, do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Këtë e kemi theksuar shpesh herë. Por megjithë managësitë e KQZ-së, si qeveria edhe opozita kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë dhe në frymë, ligjet. Duke ndjekur ligjet, duke respektuar institucionet dhe pavarësinë e tyre, atëhere edhe elektorati, popullsia, banorët do të kenë besim tek procesi. Përpjekjet për të vonuar ose manipuluar procesin do ta gërryenin më tej besimin e publikut tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek partitë si përfaqësuese të ligjshme të interesave të qytetarëve. Qytetarët e Shqipërisë dhe unë kam folur me shumë prej tyre, presin që zgjedhjet të shënojnë përparim, ata duan të jenë krenarë nga zgjedhjet, të jenë krenarë nga ato që kanë arritur, të thellojnë më tej integrimin euro-atlantik, të tërheqin më shumë investime të huaja dhe të kenë atë qëndrueshmëri dhe begati që meritojnë” .