Basha nderon me “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”, ish- Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka nderuar me titullin “Mirënjohja e Tiranës”, ish - Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld: “Me mirënjohje për kontributin e tij të shquar, në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe SHBA. Ky titull është një tregues i mirënjohjes për rolin e tij të veçantë në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe një demonstrim i respektit të thellë që i akordon qyteti i Tiranës për vitet e tij të shërbimit në SHBA dhe mbarë botën”.
Ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha i ka shprehur ish - sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld mirënjohjen e thellë të çdo shqiptari për kontributin e tij në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Kthimi juaj në Tiranë është pa dyshim një lajm shumë i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët që vlerësojnë miqësinë tuaj, të demonstruar me vepra dhe me punë, për të arritur një ndër destinacionet më të rëndësishme të vendit tonë, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut në NATO. Në këtë stacion të rëndësishëm, ne arritëm për shkak të reformave dhe punës sonë, por vetëm përmes mbështetjes së gjithanshme të SHBA dhe në veçanti Presidentit George W Bush dhe tuajën personale, në kapacitetin e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA”- u shpreh z. Basha.Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar frymëzim të madh për brezat e rinj, pasionin dhe forcën me të cilën Donald Rumsfeld kreu misionin e tij historik, në raport me lirinë e njeriut, si vlera themelore për përparimin e çdo shoqërie.“Jeta juaj është një burim frymëzimi për të gjithë personat në shërbim publik por po kështu është një burim frymëzimi për çdo të ri dhe të re, në duart e së cilit do të vijë ky libër. Ju i përkisni një brezi të cilët mbajtën premtimin e një bote të lirë nga frika dhe terrori përballë shumë kërcënimeve, kërcënimeve të nazizmit, të totalitarizmit komunist dhe të pasigurisë globale që synoi të krijonte terrorizmi në botën e pas Luftës së Ftohtë” – theksoi z. Basha.