Prishtina dhe Beogradi shkëmbejnë “ambasadorët”

Prishtina dhe Beogradi shkëmbejnë sot përfaqësuesit e zyrave ndërlidhëse.Lulzim Peci do të jetë zyrtari i parë i Kosovës që do të fillojë punë në kryeqytetin serb ndërsa homologu i tij në Prishtinë do të jetë Dejan Paviqeviç.Hapja e misioneve të posaçme diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në dy vendet është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura.Hapja e zyrave është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.Ndërkohë, po punohet për zbatimin e pikave mbi marrëveshjen Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, e arritur rreth dy muaj më parë, më 19 prill.Mësohet se Serbia ka mbyllur zyrën e policisë ilegale në Leposaviç, ndërsa ditët në vijim pritet mbyllja e zyrave në komunat e tjera me shumicë serbe në veri.Palët negociuese të cilat po merren me zbatim të Marrëveshjes kanë paralajmëruar se në fund të javës do të jetë i gatshëm plani përfundimtar i cili do të sqarojë në detaje se si do zbatohet marrëveshja, dhe do të ndajë përgjegjësitë dhe detyrimet  e palëve si dhe afatet kohore.