Tahiri: Javën tjetër, plani i detajuar
Të hënën, më 17 qershor, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, do të bëhet zyrtari i parë i Kosovës që do të fillojë punën në Beograd. Nesër, Kosova e Serbia do të shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës që do të vendosen në zyrat e tyre në kuadër të Bashkimit Evropian, ku nga ana e Serbisë në Prishtinë do të vendoset Dejan Pavicevic.Ky është procesi që ka pasuar nga vendimi i marrë në muajin janar në Bruksel, mes dy kryeministrave Thaçi dhe Daciç. Ndërkohë që po punohet për zbatimin e pikave që janë të parashikuara me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, e arritur rreth dy muaj më parë, më 19 prill.Dy ditë më parë, Serbia ka mbyllur zyrën e policisë ilegale në Leposaviç, ndërsa ditët në vijim priten mbyllja e zyrave në komunat e tjera me shumicë serbe në veri.Palët negociuese që po merren me zbatim të Marrëveshjes, gjatë javës që po e lëmë pas kanë përfunduar raundin e dytë të takimeve në Bruksel, ndërsa kanë paralajmëruar se në fund të javës së ardhshme do të jetë i gatshëm plani përfundimtar i cili do të sqarojë në detaje se si do zbatohet marrëveshja, dhe do t’i ndajë përgjegjësitë dhe obligimet e palëve si dhe afatet kohore.Ndonëse tashmë disa afate kohore të parashikuara me Marrëveshjen e 19 prillit edhe kanë kaluar, siç është rasti me telekomin dhe energjinë.Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka theksuar se javën e ardhshme do të jetë gati plani i detajuar për zbatimin e Marrëveshjes, i cili parashikon detyrimet e secilës palë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim si dhe afatet kohore për realizimin e këtyre detyrimeve.Pala serbe ka për detyrë të bëjë zhbërjen e strukturave ilegale serbe në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, dhe sipas Tahirit shpërbërja e plotë duhet të realizohet deri në fund të muajit shtator. Kurse detyrimett e palës kosovare janë ato për integrimin e individëve serbë në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.Pala kosovare ka gjithashtu për detyrë që të emërojë komandantin rajonal për katër komunat me shumicë serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila siç thotë Tahiri, pritet të bëhet në fillim të javës tjetër.Në axhendën e bisedimeve në raundin e fundit prej 10 deri më 14 qershor, ishin çështjet e drejtësisë, sigurisë, procesi i krijimit të asociacionit dhe zgjedhjeve lokale. Dhe ajo që u vendos të premten në Bruksel mes palëve ishte emërimi i ekipit menaxhues të asociacionit të komunave serbe në veri.Sipas një teksti të planit të zbatimit të Marrëveshjes Kosove-Serbi, të cilin e ka publikuar gazeta serbe ‘Danas’, thuhet se palët janë marrë vesh që integrimi i serbëve të veriut në institucione të Kosovës të bëhet deri në fund të këtij viti. Plani parashikon gjashtë elemente kryesore, ku i pari është përshtatja e kornizës ligjore.Parashikohet që të dy palët deri në fund të qershorit të miratojnë ndryshimet ligjore të domosdoshme për implementim të Marrëveshjes përfshirë dhe ligjin për amnisti.