Strukturat paralele në veri, Tahiri: Duhet të shpërbëhen deri në shtator
Serbia duhet që më 1 shtator t’i shuajë strukturat ilegale të drejtësisë e më 30 shtator ato të sigurisë, ndërsa brenda këtij muaji duhet të merr vendim qeveritar për ndaljen e financimit të strukturave ilegale ashtu siç parashihet në marrëveshjen për normalizim dhe planin për zbatim.Ndërsa Kosova javën tjetër duhet të emëroje Komandantin rajonal për katër komunat me shumicë serbe. Sa i përket Asociacionit të Komunave serbe ai do të krijohet pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë.Në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri ndërsa ekipi përbëhet edhe nga 22 zyrtarë të tjerë.Në agjendën e bisedimeve ishin çështjet e drejtësisë, sigurisë, procesi i krijimit të asociacionit dhe zgjedhjeve lokale.Në njoftim përmenden obligimet e palës serbe dhe ato kosovare.“Obligimet e palës serbe kanë të bëjnë me zhbërjen e strukturave ilegale serbe në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, ku shuarja e plotë duhet të realizohet gjatë shtatorit, respektivisht më 01 shtator shuhen strukturat ilegale të drejtësisë dhe më 30 shtator ato të sigurisë. Po ashtu, është definuar i tërë procesi i zhbërjes, përmes një procesi gradual me përfundim në shtator, si dhe që pala serbe gjatë qershorit do të marrë vendim qeveritar për ndaljen e financimit të strukturave ilegale ashtu siç parashihet në marrëveshjen për normalizim dhe planin për zbatim”, thuhet në njoftim.