AP në Sarandë: Dojaka, çështja çame do të ketë misionarët e saj në parlamentin e ardhshëm
Çështja çame do të ketë misionarët e saj në parlamentin shqiptar, u shpreh Artur Dojaka, Kryetari i Aleancës Popullore në Kuvendin e madh Çam, të zhvilluar në Sarandë.

Dojaka tha se kauza çame është braktisur në katër vitet e fundit dhe se Aleanaca Popullore është e gatshme të marrë përgjegjësitë për ta çuar atë përpara.
“Aleanca Popullore është sot Aleanca e të gjithëve, nga jugu në veri, nga Kosova në Çamëri, kudo ku ka shqiptarë që duan një të ardhme të begatë, por edhe dinjitoze, një të ardhme të lirë dhe në paqe. Mbështetja dhe pjesëmarrja masive e qytetarëve jo vetëm këtu, por në mbarë fushatën dhe tubimet që ne kemi bërë në gjithë Shqipërinë dëshmon shpresën e madhe se kohë të tjera kanë ardhur. Kohë kur padrejtësia dhe padrejtësitë mund të vihen në vend. Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet. Kauza çame dhe gjithçka tjetër përmban projekti ynë politik kërkon domosdoshmërisht prani në vendimmarrje, prani në qeverisje. Ne do jemi pjesë e koalicionit fitues të 23 qershorit. Aleanca Popullore do ketë grupin e saj parlamentar në Kuvendin e ri”, - u shpreh Dojaka.
Gjithashtu, kreu i AP-së theksoi se me çështjen çame nuk mund të bëhet më spektakël. “Ne nuk bëjmë shou. Ne nuk jemi grimierë të çështjes çame. Ne jemi misionarë të çështjes çame. Ne nuk gënjejmë veten dhe të tjerët. Aleanca Popullore është e gatshme dhe ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësit historike për ta kthyer fitoren e 23 qershorit jo vetëm në mandate deputetësh, por në një zgjidhje reale dhe përfundimtarë të kauzës sonë çame. Ne, çamëve, nuk na duhen turistë të çështjes çame. Komuniteti çam, ashtu si edhe politika shqiptare nuk mund të gënjehet më nga pseudo patriotizmi qesharak. Programi ynë është i qartë: Ne do jemi aktivë në diplomaci dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Së pari një lobim i fortë, serioz dhe i argumentuar pranë faktorit dhe organizmave ndërkombëtare, për të mbërritur në njohjen e një genocidi të mirëfilltë, dhe nisjen e procedurave për njohjen e të drejtave të mohuara padrejtësisht të një komuniteti të tërë. Më pas materializim në aksione konkrete politike e diplomatike”, - tha më tej Artur Dojaka.

Në Sarandë u prezantua edhe kandidati për deputet i kësaj force politike për qarkun e Vlorës, Amos Dojaka, i cili kërkoi votat votat për Aleancën Popullore dhe kauzën e saj të shenjtë.