LSi konventë në Tiranë, Meta: Berisha po shkatërron ekonominë
Lëvizja Socialiste për Integrim, mes entuziazmit të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrje e mijëra qytetarëve, mbajti sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” Konventën e saj për Qarkun e Tiranës. Në këtë takim madhështor është prezantuar i gjithë ekipi i kandidatëve të LSI-së për Tiranën.Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shpalosi vizionin e LSI-së që Tirana dhe e gjithë Shqipëria të të ecë më shpejt drejt zhvillimit, të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian.Kreu i LSI-së nuk ka lënë pa sulmuar dhe dështimet e qeverisë së kryeministrit Berisha, duke e quajtur atë si një qeveri të papërgjegjëshme. Meta akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ka shkatërruar ekonominë e vendit për qëllime afatshkurtra elektorale. Duke u bazuar në raportin më të fundit të BERZH, Meta tha se ekonomia është shumë pranë rënies, duke paralajmëruar një skenar krize që ka prekur vendet e rajonit.
Meta: Vota e shqiptarëve nuk mund të shkojë për një qeveri që e ka marrë të tatëpjetën me kohë dhe kërkon të marrë të gjithë Shqipërinë me vete.“Ne do të fitojmë sepse Tirana duhet të fitojë dhe Shqipëria duhet të fitojë. Sepse ka ardhur koha që politika të ketë të parët qytetarët dhe jo pushtetarët. Ka ardhur koha që ata të jenë të parët në zgjidhjen e problemeve të tyre, e në radhë të parë për zgjidhjen e një problemi të madh të çdo qytetari shqiptar, për të ruajtur vendin e punës dhe për të hapur vende të reja të punës. Të dhënat më të fundit tregojnë papërgjegjshmërinë në rritje të qeverisë në ikje, e cila po shkatërron të gjithë treguesit makroekonomikë dhe financiarë vetëm për qëllime afatshkurtra elektorale për të ngushtuar humbjen e saj të paevitueshme dhe të pashmangshme. Por i ka bërë llogaritë shumë gabim, sepse qytetarët tanë janë shumë të vëmendshëm dhe e kuptojnë se vota e tyre nuk mund të shkojë për një qeveri që e ka marrë të tatëpjetën me kohë dhe kërkon të marrë të gjithë Shqipërinë me vete”, u shpreh Meta.Më tej Meta tha se LSI është e vetmja parti politike me objektiva ekonomike të qarta, teksa theksoi se kryeministri ‘lufton’ vetëm për një mandat më shumë. Meta sulmoi politikën qeveritare të ndërtimit të infrastrukturës duket theksuar se ajo përdoret për qëllime elektorale , teksa kujtoi inaugurimin para afateve të tunelit të Kalimashit për të cilin sipas tij qeveria shpenzoi qindra para për rikonstruksion e saj.“Tirana dhe Shqipëria do të votojnë për LSI-në sepse nuk mund të jetë më e para politika për politikën dhe politika për politikanët. Por, do të jetë e para ekonomia, problemet sociale dhe punësimi i qytetarëve tanë dhe në radhë të parë i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Të gjithë e kanë të qartë se forca politike që ka objektivat më të qarta është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse problemi ynë kryesor është ristrukturimi i shpejtë dhe afatgjatë i ekonomisë në mënyrë që të evitojmë rënien dhe katastrofën ekonomiko-financiare përmes atyre reformave imediate që kryeministri aktual që as nuk i kupton dhe as nuk do t’i kuptojë. Sepse ai lufton për një mandat më shumë. Ai nuk lufton për një të ardhme më të sigurt të qytetarëve shqiptarë, të të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Prandaj, me votën tonë jo vetëm që do të votojmë për LSI-në por do të hedhim themele të sigurta të një Shqipërie, e cila do të ketë një ekonomi të qëndrueshme që rritet në mënyrë të qëndrueshme, përmes reformave strukturore, e cila përmes politikës sonë të taksave në mënyrë të veçantë nxit rritjen e prodhimit në vend, nxit uljen e importeve, nxit rritjen e eksporteve. Përmirëson të gjithë treguesit ekonomikë që krijojnë një ekonomi të shëndetshme, konkurruese, që garanton vende pune të reja, afatgjata dhe të sigurta për qytetarët tanë, e në radhë të parë për të rinjtë dhe të rejat”, tha kreu i LSI-së.
Meta: Politika e tuneleve po shkatërron ekonominë tonë.“Politikës së tuneleve po i vjen fundi, sepse ajo nuk është politika e cila garanton progresin ekonomik dhe social por është një politikë afatshkurtër për qëllime elektorale e cila nuk sjell atë progres që i kanë kërkuar dhe që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Katër vjet më parë u inaugurua tuneli i Kalimashit. Jam i bindur se këtu ka plot qytetarë nga Kukësi me origjinë dhe ata kanë familjarët e tyre në Kukës. Dhe ata e dinë shumë mirë se pas katër viteve nga inaugurimi i tunelit të Kalimashit, i cili nga nxitimi me të cilin u inaugurua, u harxhuan dhe rreth 100 milion euro më pas për ta rikuperuar. Pra që atëherë numri i familjeve në qytetin e Kukësit që marrin asistencë sociale është dyfishuar. Nesër kemi një inaugurim tjetër. Kemi inaugurimin e tunelit të Kërrabës, i cili po inaugurohet vetëm për qëllime elektorale, jashtë gjithë standardeve teknike, duke abuzuar me fondet tuaja dhe të prindërve tuaja, vetëm e vetëm që Sali Berisha mendon se mund të marrë edhe një votë më shumë. Por përgjigjen më të mirë do ta marrë në Elbasan dhe në Tiranë ashtu si do ta marrë në të gjithë Shqipërinë. Sepse politika e tuneleve po shkatërron ekonominë tonë. Ajo ka rritur borxhin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo ka rritur deficitin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo nuk mund të sjellë më shumë punësim, përkundrazi. Ka sjellë një regres social sepse nuk është një politikë e mençur por është një politikë populiste për qëllime afatshkurtra. Ndaj, plani ynë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, plani ynë për ristrukturimin e ekonomisë, plani ynë për rimëkëmbjen dhe modernizimin e bujqësisë dhe mbështetjen e industrisë agropërpunuese, plani për ngritjen e një sistemi të tërë të fabrikave të pasurimit të mineraleve në vend, plani ynë për zhvillimin e industrisë dhe të shërbimeve është plani më i qartë që sjell shëndoshjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Për ne politika e taksave nuk është një debat as teorik dhe as etik. Për ne politika e taksave është instrumenti ynë për të zhvilluar ekonominë dhe për të nxitur vendet e reja të punës”, tha kreu i LSI-së.Më tej Meta është shprehur i bindur në fitoren e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 23 Qershorit.
Meta: Ne do të fitojmë në gjithë Shqipërinë, ne do të fitojmë edhe në qarkun që ka më pak deputetë.“Ne do të fitojmë sepse Lëvizja Socialiste për Integrim si askush tjetër ka bërë gjithçka që nga krijimi i saj e deri më sot për të nxitur projektin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ne dhamë një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ashtu sikurse edhe tre javë më parë, me urtësi, me këmbëngulje dhe me modesti arritëm që të ndihmonin që Parlamenti shqiptar atëherë kur askush nuk e mendonte të votonte tre ligjet që në dhjetor do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Marrja e statusit do të zhbllokojë mjaft projekte dhe ndihma të cilat do të na krijojnë mundësi për një frymëmarrje më të mirë për zhvillimin e ekonomisë dhe për të hapur vende të reja pune. Prandaj të gjithë ata të cilët e duan Shqipërinë në Evropë dhe i duan standardet evropiane në Shqipëri do të votojnë për numrin 26 si garancia më e madhe për të vazhduar këtë projekt të nisur në dhjetor të vitit ’90. Ne do të fitojmë sepse programi i LSI-së është më i qartë dhe më i thjeshtë, më i kuptueshëm dhe më i realizueshëm sepse të gjithë politikat programore, që nga ato në fushën e arsimit, politikat e taksave, politikat sociale, synojnë në realizimin e një prioriteti madhor për Shqipërinë dhe për shqiptarët, synojnë punësimin për të vënë Tiranën në punë, për të vënë Shqipërinë në punë. Sepse puna është baza e çdo arritjeje, të çdo njeriu, të çdo familjeje, të çdo komuniteti, të çdo vendi dhe ne jemi njerëz të punës dhe dimë ta vëmë Shqipërinë në punë. Ne do të fitojmë në gjithë Shqipërinë, ne do të fitojmë edhe në qarkun që ka më pak deputetë, në qarkun e Kukësit dhe dua t’i përshëndes nga këtu të gjithë kandidatët tanë të Kukësit. Do të jetë fitorja më e bukur pavarësisht se kandidatët tanë po ndeshen jo me rivalët por me të gjithë Ministrinë e Brendshme, me gjithë Policinë e Shtetit, që ka angazhuar ministri i Brendshëm, i cili nuk synon të marrë tre mandate, por synon të ruajë mandatin e tij për të ardhmen sepse i duhet imuniteti nga veprimet e paligjshme që po bën për të prishur zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ne do të fitojmë në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim në Berat lufton për mandatin e tretë në Qarkun e Beratit. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim në Fier lufton për mandatin e tretë në Fier. Të gjitha sondazhet që janë paguar nga të gjitha drejtimet kanë vetëm një qëllim të dekurajojnë atë përkrahje në rritje që ka populli i Tiranës, populli i Shqipërisë dhe sidomos të rinjtë për të votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe unë sot me përgjegjësinë më të madhe si kryetar juaj dua t’ju siguroj se fitorja më e madhe do të jetë në Qarkun e Tiranës, do të jetë një fitore spektakolare sepse ajo bazohet tek puna që keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe, sepse ajo bazohet tek puna që ju do të bëni në këtë javë të fundit drejt ditës finale të 23 qershorit. Ne do të fitojmë sepse Tirana është me ne, sepse rinia e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë është me ne. Tirana dhe rinia janë dy komponentë historikë të ndryshimit të gjithë Shqipërisë. Tirana ka qenë gjithmonë e para për ndryshime dhe rinia si gjithmonë di të ecë më shpejt se të gjithë. Prandaj kur Tirana dhe rinia bashkohen bashkë, rezultati është i paparashikuar. Ne do të fitojmë sepse jemi një forcë me energji pozitive. Ne jemi një forcë që nuk harxhojmë energji për të kritikuar dhe për të sharë të tjerët. Por, jemi forcë që nxjerrim në plan të parë idetë tona, propozimet tona dhe gjithmonë sjellin frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjshmërisë në jetën politike dhe publike. Ne do të fitojmë sepse përfaqësojmë alternativën e bashkëpunimit pa paragjykime midis të gjithë shqiptarëve. Grupi ynë parlamentar do të jetë modeli i një politike të standardeve evropiane dhe për këtë garanci është edhe lista jonë e qarkut të Tiranës e cila përmban emra mjaft të spikatur të cilët përfaqësojnë vlerat më mira dhe më pozitive të të rinjve dhe intelektualëve të të gjitha komuniteteve”, u shpreh Meta.