Vrau për gjakmarrje në 2002, arrestohet në kryeqytet Geron Hasanbelliu

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Geron Hasanbelliun të akuzuar për një atentat të kryer në Belgjikë në vitin 2002.

Ngjarja për të cilin akuzohet 39- vjecari ndodhi 11 vjet më parë në një lokal në Antverp të Belgjikës, ku së bashku me vëllanë e tij, Erjon Hasanbelliu lanë të vrarë Julian Çelën, ndërsa u plagos rëndë Kasandër Noga.

 Atentati erdhi si hakmarrje e dy vëllezërve dhe pasoi një seri atentatesh të ndodhura mes dy fiseve Noga dhe Hasanbelliu. Më 19 gusht të vitit 2000 Kasandër Noga hyri në senatorium i shoqëruar edhe nga Julian Çela dhe pasi kanë shkelmuar dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i Geronit) dhe Dritan Hajdini u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend.

Vrasja ndodhi për motive hakmarrjeje, pasi këta persona i kishin vrarë kohë më parë vëllain, Kasander Nogës. Vëllezërit Hasanbelli, u vunë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, Geroni së bashku me Erion Hasanbelliun tentojnë të hakmerren. Në Antverp të Belgjikës, Erion dhe Geron Hasabelliu ekzekutojnë Julian Celën dhe plagosin rëndë Kasandër Nogën.

Pas ngjarjes në Belgjikë Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri. Por Gjykata e Shkallës së parë në vitin 2010 e shpalli të pafajshëm Geron Hasanbelliun për këtë akuzë. Çështja shkoi në Apel dhe në fund të vitit 2012 Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim dhe e dënoi atë me 21 vjet burg. Në zbatim të këtij vendimi policia e Tiranës e ka vënë në pranga mbrëmjen e së enjtes në rrugën e "Barrikadave".

Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së senatoriumit u arrestua nga policia belge gjate vitit 2003 dhe në 2005 u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndon një dënim me burgim të përjetshëm.