Berisha thirrje socialistëve: Rama dështak, s’meriton të ndiqet më

Partia Demokokratike ka ndaluar mbrëmjen e sotme në njësinë nr 7 të kryeqyetit, ku dhe ka prezantuar kandidatët për deputetë. Kreu i demokratëve i bindur në mbështetjen dhe votën e elektoratit besnik të tij, ka preferuar tu kushtojë vëmendje socialistëve të vendit, duke i ftuar ata t’i bashkohen fitores së PD në 23 qershor. Duke i kujtuar rivalit të tij politik “shuplakën” e tiranasve në 2011, Kryeministri Berisha ftoi socialistët të heqin dorë nga ndjekja e udhëheqësit të tyre dështak.“Njeriu që e përcollët nga dera mendon se do futet nga dritarja. Shoku Edi do mbetesh në autobusin tënd mavi për të bërë portretet me të gjitha ngjyrat që do të rilindasve të autobusit mavi. Thirrja ime për çdo socialist të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë është, bashkohuni me ne, me idealet dhe apiratat tona për integrimin në Europë. Është PD që u faktua si lokomotiva kryesore në këto vite në rrugën europiane ndaj bashkohuni me ne për marrjen e statusit kandidat, bashkohuni me ne për punësimin , për të sjellë Tiranën në çdo banesë, çdo lagje, çdo rrugicë, kudo ku ju jetoni pa asnjë dallim. Bashkohuni me ne për ta bërë Shqipërinë vendin më të vizituar në rajon dhe më gjerë, për të garantuar sëbashku shërbimet më të mira që meritoni. Le ta lëmë shokun e autobusit në ëndrrat e tij të sëmura, ta lëmë piktorin e dështuar në fatin e tij të dështuar. Njeriu që ju udhëhoqi duke kaluar nga disfata në disfatë nuk meriton të ndiqet më, bashkohuni me ne drejt fitores” deklaroi Berisha.

Berisha: Me Bashën, Tirana infrastrukturë moderne

Duke i vlerësuar zgjedhjet si përcaktuese për zhvillimin e vendit, Berisha garantoi banorët e zonës se me Kryebashkiakun Basha dhe deputeten Bregu do të bëjnë gjithçka për ta shndërruar lagjen e tyre në një nga më modernet në Tiranë.  Ndërkaq Kryeministri nuk ka hezituar t’i dalë në mbrojtje edhe planit rregullues  të Bashkisë për kryeqytetin.

“Me kryetarin e bashkisë Lulzim Basha me deputeten tuaj do bëjmë gjithcka ta shndërrojmë lagjen tuaj në një nga modernet e lagjeve në Tiranë, të ketë shërbimet më të mira për ju. Zgjedhjet janë të një rëndësie vendimtare, këto zgjedhje janë përcaktuese për punësimin e qytetarëve, të  Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.  Ne i japim një ngjitje të madhe biznesit dhe punësimit në mbarë vendin. Punësimi dhe zhvillimi janë dy nga objektivat më madhorë. Kaër vitet që vinë do të jenë vitet e projekteve të mëdha. Ligji i ri urbanistik dhe plani rregullues vendosin drejtësinë e munguar. Plani i ri bazohet në zhvillimin e barabartë dhe të ndershëm të pronës, çfarë nëkupton mëkëmbje të të gjithë atyre që e posedojnë atë. Shqipëria është në prag të projekteve gjigande, kanë nisur punimet në kaskadën e Devollit, këto ditë nga Kaspiku vinë lajmet më të mira, gjithcka po shkon drejt TAP-it, ku Shqipëria do jetë një vend i rëndësishëm. Këto projekte nënkutojnë dhjetëra e mijëra vende pune, gazifikimin e vendit, një kosto më të ulët jetese për qytetarët” u shpreh Kryeministri.

Basha: Nga viti 2003, Rama asgjë për Tiranën

Dua të kujtoj se ish-kryetari kishte jo pak, 11 vite kohë, resurse, burime financiare, për të bërë Tiranën një qytet modern, evropian por e la Tiranën me një borxh prej 50 milionë dollarësh, për shkak të përqasjeve jo transparente dhe modelit klientelist që ndoqi, model të cilin të gjithë qytetarët e Tiranës e mbajnë mend shumë mirë. Duke pasur parasysh këtë model dhe kujtesën e freskët të qytetarëve të Tiranës, ai vendosi në pikëpamjen time, me të drejtë, të arratiset nga qyteti për këto zgjedhje por gjithashtu po e shohim se në ato ditë të pakta kur rikthehet në qytet shpik justifikime për ato që nuk bëri, shpik alibira për ato që nuk bëri si dhe sulmon ato që ne po bëjmë së bashku.Jam i sigurt që qytetarët e Tiranës, të cilët janë bashkautorë të planit urbanistik dhe të zhvillimit që shohim kudo sot në Tiranë, si rezultat i kësaj përqasje pa prapavijë politike, por që ka në rend të ditës nevojat për përmirësimin e jetës kudo që jetojnë, do ta lexojnë qartë kërcënimin e përsëritur të sotëm, për të na kthyer pas dhe do të kenë përsëri mundësinë më 23 qershor, së bashku me qytetarët e Shqipërisë, që të vendosin për veten e tyre, për familjet e tyre, për qytetin e tyre, për të ecur përpara dhe për të mos u kthyer më pas në modelet e dështuara dhe të refuzuara. Bashkë me PD dhe kryeministrin Berisha ne kemi projekte të mëdha për Tiranën.

Bregu:Rama nuk ka plan, vetëm vjell vrer

Sot ne gjendemi më afër 23 qershorit, ditës së madhe ku të gjithë do të fitojmë. Sot ne jemi të gjithë bashkë ku do ti themi po alternativës së PD, alternativës së Sali Berishës. Sot ne jemi bashkë për ti thënë jo alternativës tjetër. Rama kurrë nuk përgjigjet, se nuk ka asnjë plan. Ai di vetëm të shkatërrojë dhe Tirana nuk do ta lejojë, Shqipëria nuk do ta lejojë.  Shqiptarët kanë zgjedhur rrugën më të mirë, PD dhe kryeministrin Sali Berisha.

Më pas kryeminstri Berisha  është drejtuar drejt Amfiteatrit të Liqenit Artificial, ku zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e minibashkisë Nr. 5. Gjatë fjalës së tij ai sulmoi planin e kryesocialistit Rama për taksat,  duke thënë Rama nuk ka koncept në ekonomi, dëgjon Koçon.

“Rama piktori i dështuar, nuk ka koncept në ekonomi. Qëndrimi i Ramës vjen nga Koço Kokëdhima. Kjo është e vështirë për të besuar por merrni gazetat e tij ku investimet e huaja shpallen si forma të neokolianizmit. Këto janë koncepte arkio marksiste. Të gjitha këto ja dikton mentori i tij Koço Kokëdhima”tha ai.

Më tej Kryeministri iu rikthye 8 viteve të drejtimit të bashkisë së Tiranës nga Rama, duke e akuzuar për shpërdorim të fondeve të qeverisë që merrte për infrastrukturën e Tiranës.

“Tirana jashtë qendrës ka infrastrukturë të botës së tretë. Dal dhe shoh infrastrukturë të papranueshme. Në cdo skaj të akseve kryesore. Mbollëm thoshte, 5 mijë pemë dhe i bënte paret rrush e kumbulla dhe na i shpallte peme. Ne do financojmë infrastrukturën e Tiranës, gjersa Tirana të asfaltojë cdo rrugë dhe rrugicë të saj dhe të rikualifikojë sheshet e pallate. Dhe atij ja shtonim por i bënte rroga. Kemi unazën e re të Tiranës, kjo unazë duhet të kishte përfunduar dy vjet më pare, nëse zotëria e tij do të donte, por e mbante peng sepse nuk pranonte as propozimet e Bankës Europiane. Shumë shpejt do të ndërtohet jo vetëm unaza, por do të ndërtohet dhe krahu tjetër dhe do të rindërtohet e gjithë infrastruktura e qytetit ”, tha Berisha.

Duke folur për arsimin, Berisha deklaroi se qeveria do të vazhdojë rritjen e rrogave për mësuesit, ndërsa garantoi edhe dhënien e statusit për ta.“Një nga veprat më të godituara që kemi bërë ishte rritja e madhe e rrogave të arsimtarëve, që u shtri më pas në të gjithë administratën. Ne mendojmë se rritja e rrogave dhe pensioneve është e domosdoshme, është një çështje humane që nuk duhet të ndërpritet kurrë. Kemi vendosur rrogën 700 dollarë si nivel për t’u arritur gjatë mandatit që vjen.Qeveria është e vendosur t’i japë statusin mësuesit pa asnjë lloj hezitimi. Problemi i vetëm është se statusi i vendosur nuk mjafton vetëm me vitet e punës, por kërkon dhe disa kushte të tjera si niveli i arsimit, shkalla e kualifikimit etj. Në tërësi në shkallaren e rrogave, shumica e vendeve mësuesit i vendosin nën mesatare. Ne i kemi vendosur mbi mesataren me qëllimin e vetëm që për çdo rritje rroge ata të ruajnë pozicionin dhe të jenë të mirë shërbyer. Duke ecur më tutje rrogat do të shtohen” përfundoi ai.