BE paralajmëron partitë: Po ju vëzhgojmë, shmangni dhunën
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë bëjnë apel për shmangien e dhunës gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ambasadorët e BE-së nënvizojnë se po ndjekin procesin zgjedhor në Shqipëri ndërsa kërkojnë që të plotësohet një nga standartet e zgjedhjeve që është shmangia e dhunës si dhe një mjedis i qetë zgjedhor.“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Krerët e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, dëshiron të nënvizojë se po e ndjekim nga afër procesin zgjedhor. Ndër standardet evropiane dhe ndërkombëtare që presim të zbatohen, një ndër më të rëndësishmit është shmangia e dhunës, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve që zgjedhjet të zhvillohen në një mjedis të qetë dhe paqësor. Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të sillen sipas këtij standardi” thuhet në deklaratë.Gjithashtu ambasadorët e BE-së theksojnë më tej se presin nga partitë politike t'u japin udhëzime të rrepta anëtarëve dhe mbështetësve të tyre në lidhje me zhvillimin e një procesi sa më të qetë zgjedhor dhe sipas standarteve ndërkombëtare.