Berisha takime në Laç e Shëngjin: Mos i besoni Ramës, bën premtime të parealizueshme
Laçi ka qenë stacioni i radhës elektoral i kryeministrit Berisha mbrëmjen e së hënës, ku fillimisht ka bërë para simpatizantëve një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij.“Ne futëm vendin në NATO dhe sollëm lëvizjen pa viza. Ndërsa statusin e kandidatit na e bllokoi shoku i autobusit”, ka deklaruar Berisha.Kryetari i mazhorancës ka theksuar se PD ka programin më të shkëlqyer për katër vitet e ardhshme, që sipas tij do të jenë vitet e investimeve madhore në infrastrukturë.“Ne investuam 1 miliard dollarë për kaskadën e Devollit dhe kontribuam në ndërtimin e gazsjellësit TAP. Ne po përgjysmojmë taksat për të gjithë industrinë turistike. Vitet e ardhshme do të jenë vitet e përfundimit dhe ndërtimit të rrugëve të reja, ujësjellësave dhe kanalizimeve”, ka nënvizuar Berisha, i cili ka ironizuar alternativën e majtë. Cila është alternativa tjetër, alternativa që përpiqet të mbjellë dështim dhe zi në çdo skaj të këtij vendi. Për shoferin e autobusit mavi, në këto vite në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e mirë, por vetëm rrënim. Sepse ky shok nga autobusi me xhama të zinj nuk shef asgjë”, deklaroi Berisha.Në vijim Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mbrëmje në ceremoninë e çeljes së sezonit turistik në Shëngjin. Në ceremoninë ishin të pranishëm edhe ish presidentët e Kosovës dhe Kroacisë, zoti Farmir Sejdiu dhe zoti Stipe Mesiç dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.Kjo ceremoni u shoqërua edhe me inaugurimin e rindërtimit të shëtitores përgjatë bregut, investim me vlerë 160 milionë lekë. Shëtitorja, që mban emrin e presidentit amerikan Willson, iu shtua investimeve të tjera të kryera vitet e fundit në Shëngjin si rikonstruksioni i rrugës autostradë-Ishull Shëngjin, me vlerë 30 milionë lekë, ndërtimi i rrugës Shëngjin–Kune, me vlerë 4 milionë euro, rrjeti i sistemit të kanalizimeve në zonën e Shëngjinit, me vlerë 4milionë euro, të cilat e kanë shndërruar Shëngjinin në një pol të rëndësishëm turistik. Në këtë sezon, investimet në Shëngjin kapin vlerën 9 milionë euro.Gjatë këtyre viteve, investimet në të gjithë qarkun e Lezhës janë 15 herë më shume se periudha e qeverisjes socialiste. Në këtë qark janë ndërtuar mbi 520 kilometra rrugë, 84 shkolla, 35 ujësjellës, 47 qendra shëndetësore e ambulanca dhe janë subvencionuar mbi 600 hektarë në pemëtari, ullinj, vreshta, nga të cilat kanë përfituar 1280 fermerë.Kryeministri Berisha iu drejtua qytetarëve të Shëngjinit me një përshëndetje të ngrohtë, me falënderimet për përpjekjet e tyre për zhvillimin e Shëngjinit, për mikpritjen e respektin ndaj të gjithë pushuesve e vizitorëve dhe me urimin për një sezon të suksesshëm turistik.