PDIU përshëndet kërkesën e Panaritit për zgjidhje të çështjes çame
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe shoqata Çamëria vlerësojnë angazhimin e treguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe personalisht nga Edmond Panariti për të kanalizuar në rrugë zyrtare dhe në axhendën diplomatike të Shqipërisë, çështjen çame.“Për herë të parë, pas një heshtje disavjeçare, kërkesa legjitime e shqiptarëve të Çamërisë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame u prezantua në rrugë zyrtare në një takim të nivelit të lartë, ndërmjet ministrave të Jashtëm të dy vendeve. Kanalizimi i saj në analet diplomatike është sot, domosdoshmëria më e madhe e kësaj kauze të gjithë shqiptarëve. Për këtë arsye, parashtrimi i kërkesës së shqiptarëve të Çamërisë, në emër të shtetit shqiptar, nga z. Panariti përbën një hap konstruktiv përpara për futjen qartësisht në një axhendë përqasjeje europianiste për avancimin e zgjidhjes së çështjes çame. Ballafaqimi dhe hapja e çështjeve të mbetura pezull është rruga më e mire për zgjidhjen me dialog drejt përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”thuhet në një deklaratë për mediat të PDIU-së.Më tej PDIU shprehet se ka qenë vazhdimisht në kontakt me axhendën e bisedimeve të Ministrit Panariti dhe vlerëson qëndrimin e mbajtur si për çështjen çame ashtu edhe për marrëveshjen e kufijve detarë, si qëndrime që i shërbejnë konsolidimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.“Çështja e shqiptarëve të Çamërisë, ka fituar betejën me kohën, si pasojë, është çështje vullneti politik, pune dhe mundi për të arritur në zgjidhjen përfundimtare të saj” përfundon deklarata e PDIU-së.