PD i kundërpërgjigjet Ramës: S`ka pazar me integrimin

Kur ka mbetur dhe një javë nga 10 tetori, data kur pritet raport-progresi për Shqipërinë, Partia Demokratike i ka bërë thirrje dhe njëherë liderit të selisë rozë të votojë projektligjin për Gjykatën e Lartë. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi denoncoi qëndrimin bllokues të kreut të Partisë Socialiste, ndërsa akuzoi sërish atë se kërkon të bëjë pazar me procesin e integrimit.“Edi Rama deklaroi sot se nuk voton amandamentet që ka propozuar vetë Partia Socialiste në ligjin e Gjykatës së Lartë dhe përsëriti kërkesën për Pazar me Kryeministrin Berisha, si të “vetmen rrugë” për të kapur karrige. Me qëndrimet e tij, Rama tregoi mungesën totale të respektit për shtetin ligjor,duke kërkuar pazar për vendimet e gjykatave” u shpreh Bardhi.Sipas PD Rama pas çdo humbje ka kërkuar pazar, ndërsa ka përjashtuar mundësinë për ndjekjen e të njëjtës rrugë dhe me proçesin e integrimit.“Pazar në 2007 kur kërkonte të shtynte mandatin e tij dhe dështoi, Pazar në 2009 kur humbi zgjedhjet politike dhe dështoi, Pazar për heqjen e vizave dhe dështoi, Pazar për të marrë Bashkinë e Tiranës në tavolinë dhe dështoi, Pazar në 2011 kur humbi pushtetin vendor dhe përsëri dështoi”- deklaroi zëdhënësja e PD-së.