VIDEO/ Partizani limiton dëmet në Kazakistan, humbet por mban gjallë shpresat për grupet e Conference League

Ndeshje për t’u harruar, por ende në lojë për një biletë në fazën e grupeve. Partizani luan keq, humbet minimalisht 1-0 me Astana-n dhe shpëtohet nga një gol i anulluar prej sistemit VAR për disa milimetra në pozicion jashtë loje në golin e dytë momental të skuadrës vendase.
I dominuar pothuajse gjatë gjithë 90 minutave ekipi i kuq që ia hodhi paq edhe në minutën e fundit kur një tjetër gol u anulua për një pozicion jashtë lojë, sërish nga Tomasov që nuk pati aspak fat në të dyja rastet e golave të anuluar.
Rrjetën e vetme të Astanës e shënoi Loncar në minutën e 41, ndërsa në pjesën e dytë Rrapaj dhe Murataj kishin në këmbët e tyre topin e golit në dy raste të rralla por nuk arritën të bëjnë shumë.
Sfidë e vështirë në Kazakistan për të besuarit e Zekic që luajti me 5 mungesa të rëndësishme që nga fillimi dhe humbi në pjesën e parë edhe Eros Grezdën.
Partizani do të përpiqet të rikuperojë ndonjë lojtar nga pacientët që po mbajnë radhën në infermieri, ndërsa në Shqipëri do të mjaftonte minimalisht një gol diferencë për ta çuar ndeshjen minimalisht në shtesë. Pas një jave do të luhet sfida e kthimit në një stadium ende për t’u vendosur.

