Meta: Opozita s`duhet të lejojë kalimin e amnistisë fiskale në Parlament

Partia e Lirisë paralajmëroi se nuk do të kalojë kalimin në parlament të projektligjit të qeverisë për amnistinë fiskale. Në fillim të sesionit të ri parlamentar, Ilir Meta theksoi se opozita duhet të përqendrohet në situatën e rënduar ekonomike në vend dhe luftën ndaj korrupsionit.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, paralajmëroi se opozita do ta pengojë nismën e mazhorancës për miratimin në Kuvend të amnistisë fiskale.

"Është një paralajmërim tjetër ndaj amnistisë fiskale. Gjithçka zhvillohet nën kushtet e mungesës së plotë të transparencës për arsyet e korrupsionit që është kthyer në të vetmin qëllim shtetëror të Rilindjes".

Ai u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare në vend për të reaguar përgjatë sesionit të ri parlamentar në lidhje me rëndimin e situatës ekonomike në vend, referuar edhe raportit të fundit të FMN-së

"Kërkon përqëndrim të madh dhe të PL, forcave opozitare në parlament. Besoj se gjithnjë e më shumë deputetë opozitarë do të ngrihen në lartësinë e kësaj detyre dhe të këtij misioni."

Ish-presidenti, Ilir Meta, u shpreh se në qendër të vëmendjes do të vijojnë të jenë problematikat e adresuara për PPP-të, borxhin e lartë publik, taksat e maksimalizuara dhe largimin masiv të qytetarëve.

"Sfida kryesore e opozitës është adresimi i gjithë këtyre problemeve dhe i çmontimit të kapjes së shtetit."

Meta u shpreh optimist për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit për shkak të situatës së vështirë ekonomike me të cilën po përballet shqiptarët, ndërkohë që Kryeministri sipas tij po përpiqet tu hedhë hi syve qytetarëve.

"Shpreh bindjen e jashtëzakonshme se me 15 maj Shqipëria do të jetë krejt tjetër."

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.