PL: Qeveria e kapur nga korrupsioni pandemik, kriminalizimi dhe pastrimi i parave po çon vendin në greminë

Partia e Lirisë përmes nënkryetarit të saj Petrit Vasili, deklaron se koncesionet, sistemi i taksave, çmimet dhe emigracioni po çojnë ekonominë e Shqipërisë në greminë.

Teksa i referohet deklaratave të bëra nga shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, Vasili thekson se Qeveria me moton "pas nesh u bëftë qameti" po rrënon çdo parametër ekonomik, duke shkatërruar ekonominë me koncesionet, sistemin e taksave korruptiv dhe gjobaxhi, me emigracionin dhe varfërimin galopant të vendit për shkak të çmimeve të larta peng i monopoleve të dyshes qeveri - oligarki.

Reagimi i plotë i nënkryetarit të PL-së, Petrit Vasili

Koncesionet, sistemi i taksave, çmimet dhe emigracioni po çojnë ekonominë në greminë!

FMN realisht jep alamin për ekonominë dhe shefja e saj në Shqipëri ka folur shumë qartë.

Qeveria e kapur nga korrupsioni pandemik shkatërrimtar, kriminalizimi dhe pastrimi i parave po çon ekonominë në greminë.

Qeveria me moton "pas nesh u bëftë qameti" po rrënon çdo parametër ekonomik, duke shkatërruar ekonominë me koncesionet, sistemin e taksave korruptiv dhe gjobaxhi, me emigracionin dhe varfërimin galopant të vendit për shkak të çmimeve të larta peng i monopoleve të dyshes qeveri - oligarki.

Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, YAN SUN thotë në mënyrë shterruese se:

PPP: "Ne mbetemi të shqetësuar për rreziqet e PPP-ve, të vlerësuara në rreth 40% të PBB-së së vitit 2022, bazuar në vlerën e kontratave të projekteve ekzistuese dhe atyre në proces. Kuadri për koordinimin dhe menaxhimin e PPP-ve vazhdon të vuajë nga dobësi të mëdha dhe mbetet e paqartë se sa të zgjeruara janë rreziqet fiskale".

"Prioritet urgjent për Shqipërinë është përafrimi i kornizave të menaxhimit të PPP dhe investimeve publike, si dhe integrimi i tyre i plotë në ciklin normal të buxhetit".

TAKSAT: "Theksojmë se sistemi aktual i taksave në Shqipëri është kompleks dhe i fragmentuar dhe ndryshimet e shpeshta “ad hoc” kanë dëmtuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit".

"Ndërtimi i një sistemi tatimor më të drejtë, më efikas, më të thjeshtë dhe më transparent mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, ndërkohë që do të fuqizojë aktivitetin e brendshëm ekonomik, duke futur stimujt e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë të informalitetit".

EMIGRACIONI: "Përtej efektit negativ në produktivitet dhe rritjes potenciale afatgjatë, emigracioni ka gjithashtu implikime negative për të ardhurat nga taksat dhe koston e ofrimit të shërbimeve publike".

ÇMIMET: "Rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme, me inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave në muajt e fundit, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë".