Meta njeh Berishën: PS mban peng vulën e PD-së. Rama e ktheu Shkodrën në fshat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e organizimit të votimeve të 14 majit, duke paralajmëruar se të drejtën e propozimeve do ta ketë grupimi i Alibeajt sa i përket Partisë Demokratike.
Por për Ilir Metën çështja e vulës është politike dhe se Partia e Lirisë do të jetë në koalicion me Berishën
"Në mënyrë mafioze, Edi Rama dhe Rilindja kontrollojnë dhe mbajnë nën presion gjykatat për të kontrolluar vulën e PD-së. Kjo çështje është zgjidhur me kohë e ka zgjidhur dhe vetë 6 marsi.
Largimi i Agron Çelës nga Partia e Lirisë, sipas Metës nuk përbën shqetësim por përballë gazetarëve ai akuzoi mazhorancën se e ka lënë Shkodrën pa mbështetje
"E ka shndërruar Shkodrën në një fshat të braktisur. Ia ka hequr të gjitha shërbimet. E di shumë mirë se skandale të reja do të dalin dhe pas 14 majit qytetarët do të tmerrohen kur të kuptojnë vjedhjet."
Në konferencën për shtyp Meta doli për të denoncuar marrjen e një tjetër eurobondi prej 500 milionë eurosh nga qeveria, duke e çuar huanë e qeverisë në 107 për qind. Për këtë kreu i PL shton se shqiptarët sot janë më të varfër.
"Në kushtet kur si pasojë e rritjes së çmimeve Qeveria arkëtoi 520 milionë USD, dhe ndërkohë që Shqipëria emetoi një Eurobond prej 650 milion euro në nëntor të vitit 2021, është tepër e dyshimtë humarrja prej 500 milion euro, që e çon borxhin publik nga 107% në vlera akoma edhe më të larta.
Sa kohë Qeveria ka arkëtuar 520 milion dollarë nga rritja e çmimeve, ndërkohë që çmimet në treg nuk janë ulur, atëhere përse merren edhe 500 milion euro hua dhe për çfarë? Është shumë e qartë se fondet e grumbulluara si pasojë e inflacionit të lartë nuk do të përkthehen në më shumë shërbime për qytetarët, por do të abuzohen nga hajdutët e “Rilindjes”, pra do të merret borxh për të financuar korrupsionin dhe skandalet e panumërta financiare."
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
