"Mos vidh, mos fshih vjedhje", Berisha-Ramës: Abazoviçi e rriti rrogën mesatare me 300 €, ti e ule me 25%

Kreu i PD-së Sali Berisha në 31 vjetorin e krijimit të degës së PD-së në Durrës u bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Rama të ndalë vjedhjet e të mos largojë më të rinjtë nga vendi.

"Këto ditë dëgjoni si bërtet Rama për pensionistët: Do ketë një bonus të madh. Por në prill kur t’jau marrë borgjezëve taksën e jashtëzakonshme do lumturojë sërish pensionistëve.

Abazoviçi i tha në sy dje, në 4 vite rrita rrogën mesatare me më shumë se 300 euro, ndërsa ky jo vetëm që nuk e rriti por referuar inflacionit e uli me të paktën 25 përqind.

Pensionistët nuk kanë nevojë për mëshirë. Mos vidh!

Mos vidh. Mos vidh. Që ti të ndërtosh parajsën në Surrel dhe të tjerët ti përzesh nga vendi. Mos fshih vjedhjet! Çfarë ndodhi me vjedhjen e fundit? U përpoq prap ta fshihte siç ka fsheh vjedhjen e Damianit, vjedhje të ministrave të tjerë.

Gjithçka bazohet në një përçmim ndaj qytetarëve, vjedhje të tyre. Kjo që bën kjo qeveri është genocid ndaj shqiptarëve. Krijon kushte të kalkulueshme në largimin nga vendi. A nuk janë kushte të kalkulueshme këto kur rrit çmimet me borde jo me treg, kur u vjedh nga xhepat shqiptarëve mbi gjysmë miliard euro dhe kur u thua se do u lumturoj," tha ai.