Braimllari: Veliaj taksat e qytetarëve i shpenzon për punësime elektorale, 14 maji dita e llogaridhënies

Nënkryetari i PL-së Endrit Braimllari në një komunikim për media ka deklaruar se Bashkia e Tiranës do të duhet të merrte 25 mijë m/2 ndërtim për familjet e pastreha.

Sipas tij kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka abuzuar me fondet e mbledhura nga Bashkia nga taksat e qytetarëve duke i përdorur ato për punësime elektorale dhe jo për shërbime.

"Nga të dhënat që ne disponojmë, janë të paktën 25 mijë metra katrorë ndërtim që Bashkia e Tiranës duhet t’i merrte për familjet e pastreha.

Pra është i qartë abuzimi marramëndës i Erion Velisë në Bashkinë e Tiranës me interesat e qytetarëve në nevojë.

Në kushtet e një Këshilli Bashkiak monist, që certifikon çdo vendim të kryetarit të bashkisë nuk ka transparencë për qytetarët se ku kanë shkuar këto para. 

Taksat që Erion Veliaj mbledh në Tiranë po përdoren për punësime elektorale dhe jo për shërbime për qytetarët.

Erion Veliaj nuk bën asnjë lloj transparence, se ku shkojnë dhe paratë që mbledh nga taksa e infrastrukturës ku ne si Parti e Lirisë, çdo ditë kemi denoncuar gjendjen e mjeruar të rrugëve në Tiranë.

14 maji do të jetë dita e llogaridhënies për Erion Velinë mbi abuzimet me taksat e qytetarëve, paligjshmërinë dhe hajdutërinë e tij.

Partia e Lirisë angazhohet për të kthyer llogaridhënien në bashki dhe Këshilli Bashkiak do të një Parlament i vërtetë vendor ku do të dominojë zëri i qytetarëve," tha Braimllari.